Në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare!

SYRI TV
Dr. Vaxhid Sejdiu
Si zakonisht aktivitetet e shkollave shqipe i japin komunitetit shqiptar në Diasporë një frymëmarrje të re, një shpirt të ri për t`i përballuar sfidat e kohës. Gjatë gjithë vitit nxënësit e shkollave shqipe kanë mundësinë të mësojnë, lexojnë dhe të shkruajnë gjuhën shqipe mirë e drejtë. Ta mësojnë se e kanë gjuhë nëne dhe e kanë obligim nga prindërit të orientohen që këto orë mësimore t`i vijojnë me rregull. Edhe manifestimi i datës 23 Qershor 2024 që u mbajt në Küttigen të Argaut dëshmoi të njëjtën sprovë.
Qindra fëmijë me prindërit e tyre mbushën sallën e madhe të Küttigen-it. Buzëqeshjet, gëzimi hareja shihej qartë në fytyrat e prindërve që kishin ardhur nga katër anët t`i shohin fëmijët e tyre. Në mesin e më të lumturve isha edhe unë me nxënësit e shkollave shqipe ku punoj dhe veproj. Nuk kishte gjë më të bukur të dëgjosh recitimet e nxënësve: Riga Lokaj, Luiza Beqiri, Antigona Zeka Nora Nocaj, Era Kelmendi, Arianita Kryeziu, Gent Morina dhe Eliona Muçaj etj.
Edhe këngëtarët e vegjël shkëlqyen Eliona Muçaj, Alea dhe Arnela Halimi, Liara Zuka, Tana Limoni, Arta dhe Rina Morina, Lina Sulejmani Shere Dakaj dhe dhjetëra te tjerë të cilët mrekulluan pjesëmarrësit me zërin e tyre. Suksese nxënës, ju jeni e ardhmja e gjuhës shqipe në Zvicër.
Dhe sa bukur jehonte kënga në mes të Zvicrës për Shqipërinë tonë të bukur:
“Po ku ka si ti o Shqipëria ime,
O fisnikja përmbi gur!
Rrjedhë në këngë e ligjërime
Ballëlarta me flamur”.
Dhe bashkë me nxënësit me gjithë shpirt këndonte edhe Ornela Zela, e cila i dha shpirt programit shkollor duke i prezantuar fëmijët një nga nje sipas shkollave.