53 deputetë përballë 18, e megjithatë kërkesa është Presidenca!
Po mundohem ta kuptoj logjikën politike të LDK-së.
LVV ka 53 deputetë, ndërsa LDK 18.
Kushtetuta, në nenin 86, thotë se për ta nominuar një kandidat për President duhen nënshkrimet e së paku 30 deputetëve. Pra, LDK me 18 deputetët e saj nuk i ka as numrat që ta nominojë e vetme kandidatin, e megjithatë po kërkon që Presidenca t’i takojë asaj.
Natyrisht, politikisht mund ta kërkojë negociatat për këtë janë. Por kërkesa duhet të ketë edhe një masë në raport me votën që të kanë dhënë qytetarët.
Kompromis po, por kompromisi nuk është formulë ku ai me 53 mandate duhet të sillet sikur ka 18, ndërsa ai me 18 të kërkojë sikur i ka 53.
Më kujtohet ajo anekdota:
Njëri kishte kalin, tjetri vetëm shalën , por ai me shalën këmbëngulte se i takonte të vendoste kah do të shkonte kali.
Politika serioze kërkon marrëveshje, por kërkon edhe respektim të realitetit politik. Nëse kërkojmë kompromis nga Albini, atëherë duhet të shohim edhe dorën që ai po e zgjat për bashkëpunim. Nga opozita dua të shoh të njëjtën gatishmëri, jo vetëm lista kërkesash.
Demokracia është kompromis, por kompromisi nuk është përmbysje e rezultatit të zgjedhjeve.