LETËR E HAPUR DEPUTETËVE TË ZGJEDHUR TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Ka momente në historinë e një shteti kur heshtja nuk është më maturi. Prandaj, sonte dua të flas.
Ka edhe momente kur përsëritja e papërgjegjësisë politike rrezikon ta shndërrojë turpin institucional në normalitet. Prandaj, edhe një herë, nuk dua të hesht.
Kosova,nuk mund dhe nuk guxon të mësohet me një normalitet të tillë. Nuk mund të pajtohemi me faktin që mosfunksionimi i institucioneve të konsiderohet gjendje e zakonshme politike dhe që Republika jonë të bëhet objekt zhgënjimi për qytetarët e saj dhe i perceptimit negativ para botës.
Përse mbahen zgjedhjet?
Përse qytetari thirret para kutisë së votimit dhe i kërkohet besimi i tij, nëse pas zgjedhjeve vota e tij shndërrohet në peng të kalkulimeve partiake?
Përse kërkohet mandati nga populli, nëse më pas ai mandat përdoret më shumë për mbrojtjen e interesit partiak sesa për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit?
Po rrezikojmë të hyjmë përsëri në cikle zgjedhore, ndërkohë që institucionet vazhdojnë të mbeten peng i mosmarrëveshjeve politike.
Në njërën anë, ende nuk jemi ngopur me turpin tonë institucional; në anën tjetër, me këtë sjellje po i kënaqim pikërisht ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.
Republika e Kosovës është shtet kushtetues, demokratik dhe parlamentar.
Kushtetuta nuk është një dokument që zbatohet vetëm atëherë kur u përshtatet interesave politike partive apo individëve. Ajo është akti më i lartë juridik i Republikës dhe detyrimi themelor mbi të cilin mbështetet funksionimi i institucioneve.
Neni 66, paragrafi 3, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se Kuvendi me deputetet e sapozgjedhur mblidhet në seancën konstituive brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Ndërkaq, neni 67 përcakton zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Edhe Rregullorja e Kuvendit e trajton zgjedhjen e organeve drejtuese si pjesë përbërëse të procesit të konstituimit.
Prandaj duhet ta kuptojmë një herë e përgjithmonë:
Konstituimi i Kuvendit nuk është lojë taktike.
Nuk është instrument për konsumimin e pafund të kohës politike.
Nuk është favor që një parti ia bën tjetrës.
Është detyrë kushtetuese, përgjegjësi institucionale dhe obligim ndaj Republikës dhe qytetarëve të saj.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të dalura pikërisht në rrethana krizash dhe bllokadash institucionale, ka ndërtuar standarde të rëndësishme lidhur me konstituimin dhe funksionalizimin e Kuvendit.
Fryma kushtetuese është e qartë: institucionet demokratike nuk janë krijuar për t’u mbajtur peng pafundësisht nga taktikat politike, por për ta ushtruar mandatin që buron nga sovrani.
Prandaj, pyetja ime është e thjeshtë:
Sa herë duhet t’ua kujtojë Kushtetuta politikanëve tanë se shteti nuk është pronë e tyre?
Pothuajse secili politikan e ka gojën plot me fjalën shtet, por shumë pak prej tyre po dëshmojnë se shteti është vërtet mbi interesin e tyre partiak.
TË NDERUAR DEPUTETË TË ZGJEDHUR NGA POPULLI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS,
Ju mund të mos e doni njëri-tjetrin.
Mund të keni dallime të thella ideologjike.
Mund të luftoni politikisht.
Mund ta kritikoni ashpër njëri-tjetrin.
Kjo është demokraci.
Por nuk keni të drejtë që, për shkak të betejave tuaja partiake, ta bëni shtetin jofunksional.
Sepse mbi secilën parti është Republika e Kosovës.
Mbi secilin lider është Kushtetuta.
Mbi çdo ambicie personale është interesi i qytetarit.
Edhe mbi mandatin tuaj të përkohshëm politik qëndron sakrifica shumëvjeçare e një populli të tërë për të ardhur deri te ky shtet.
Këtë e dini.
Ose, së paku, duhet ta dini!
PO JU SHKRUAJ EDHE SI ISH-DIPLOMAT
Kam pasur nderin dhe përgjegjësinë ta përfaqësoj Republikën e Kosovës jashtë vendit.
E di sa shumë punë, mund, durim dhe përkushtim është dashur që flamuri i Kosovës të ngrihet përkrah flamujve të shteteve të tjera dhe në shtetin pranues!
E di me sa vështirë fitohet respekti ndërkombëtar.
Dhe e di po aq mirë se sa lehtë mund të dëmtohet kredibiliteti i një shteti.
Në diplomaci, shteti nuk respektohet vetëm përmes fjalimeve të bukura, ceremonive dhe pritjeve protokollare të përfaqësuesve të tij.
Shteti respektohet para së gjithash përmes funksionimit të institucioneve, sundimit të ligjit, respektimit të Kushtetutës, stabilitetit politik dhe aftësisë së institucioneve për të marrë dhe zbatuar vendime.
Një republikë parlamentare nuk e dëshmon pjekurinë e saj demokratike vetëm në ditën e zgjedhjeve.
Ajo e dëshmon atë sidomos pas zgjedhjeve, kur vullneti i qytetarëve duhet të përkthehet në institucione funksionale.
Prandaj, nga përvoja ime diplomatike, po ju lus:
MOS E DOBËSONI REPUBLIKËN PËR TA FORCUAR PARTINË!
Një parti mund t’i fitojë zgjedhjet sot dhe t’i humbasë nesër.
Një politikan mund ta fitojë një post sot dhe ta humbasë atë pas disa muajsh.
Por dëmi që i shkaktohet shtetit, besimit qytetar dhe kredibilitetit ndërkombëtar mund të mbetet për shumë vite dhe të jetë shumë më i vështirë për t’u riparuar.
PO JU SHKRUAJ EDHE SI ISH-I BURGOSUR POLITIK
Unë e di çfarë do të thotë ta ëndërrosh lirinë nga prapa mureve të trasha e të lagështa të një qelie.
E di çfarë do të thotë të presësh në terr që një ditë të vijë drita.
E di çfarë do të thotë të ëndërrosh ditën kur shqiptarët e Kosovës do ta kenë shtetin e tyre, Kuvendin e tyre, Qeverinë e tyre, flamurin e tyre dhe institucionet e tyre.
Në burgjet jugosllave nuk ëndërronim për privilegje.
Nuk ëndërronim se kush do të bëhej ministër.
Nuk ëndërronim se kush do të bëhej deputet.
Nuk ëndërronim se kush do të bëhej Kryeministër apo Kryetar i Kuvendit.
Ëndërronim për Kosovën e lirë !
Prandaj është e dhimbshme që sot, kur Kosovën e kemi shtet, të sillemi sikur shteti qenka më pak i rëndësishëm sesa posti i një individi apo interesi i një partie.
A thua për këtë u mbushën burgjet e ish-Jugosllavisë me të rinj shqiptarë?
A thua për këtë u burgosën, u torturuan dhe u dënuan breza të tërë?
A thua për këtë u sakrifikuan familje të panumërta?
A thua për këtë ranë dëshmorët?
Jo!
Një mijë herë jo!
Liria nuk u fitua që institucionet e shtetit të shndërrohen në arena të pafundme të inateve, kalkulimeve dhe përplasjeve politike.
THIRRJE PËR TË GJITHË, PA PËRJASHTIM
I drejtohem secilit subjekt politik shqiptar në Kosovë dhe liderëve të tyre.
I drejtohem U.D Presidentes së Republikës!
I drejtohem Kryeministrit në detyrë.
I drejtohem Kryetarit të Kuvendit dhe secilit që synon ta drejtojë atë.
I drejtohem deputetit më të vjetër.
I drejtohem secilit deputet të zgjedhur nga populli, nga më i vjetri deri te deputetja më e re!
Thirreni mendjen!
Uluni.
Bisedoni.
Negocioni.
Gjeni zgjidhje.
Kompromisi politik, kur bëhet brenda Kushtetutës dhe në interes të shtetit, nuk është tradhti.
Dialogu nuk është kapitullim.
Marrëveshja politike kushtetuese nuk është dobësi.
Ajo është pjesë e përgjegjësisë demokratike.
Askush nuk ju kërkon t’i harroni dallimet tuaja.
Por populli ka të drejtë t’ju kërkojë që dallimet tuaja të mos e paralizojnë Republikën.
MOS E ZHGËNJENI KËTË POPULL TË STËRVUAJTUR!
Mos i zhgënjeni familjet e dëshmorëve dhe të heronjve të kombit.
Mos i zhgënjeni veteranët e UÇK-së.
Mos i zhgënjeni invalidët e luftës.
Mos i zhgënjeni ish-të burgosurit politikë.
Mos i zhgënjeni veprimtarët që kaluan një jetë duke besuar se një ditë Kosova do të bëhej shtet.
Mos i zhgënjeni nënat që dhanë bijtë dhe bijat e tyre për lirinë që ne sot e gëzojmë.
Mos i zhgenjeni familjet e të pagjeturve!
Mos i zhgënjeni të rinjtë që ende pyesin veten nëse të ardhmen duhet ta ndërtojnë në Kosovë apo ta kërkojnë larg atdheut.
Dhe, mbi të gjitha:
MOS E ZHGËNJENI SOVRANIN QË JU DHA VOTËN!
Sepse vota nuk është çek i bardhë për pushtet.
Vota është amanet.
Mandati është përgjegjësi.
Institucioni është shërbim.
Ndërsa Republika është mbi të gjithë ne dhe mbi secilin prej jush.
Kosova ka nevojë që të fitojë shteti, jo individi.
Kosova ka nevojë për njerëz që i shërbejnë asaj, jo për institucione që u shërbejnë ambicieve personale.
Nëse secili prej jush kërkon vetëm fitoren e vet, në fund humb Republika.
Humb Kosova si Shtet.
Humb qytetari i saj.
Përgjegjësia politike dhe historike për këtë nuk mund t’i lihet gjithmonë tjetrit.
Historia do ta mbajë shënim përgjegjësinë e secilit dhe një ditë do ju mallkoj!
PRANDAJ, JU BËJ NJË LUTJE NJERËZORE, POLITIKE DHE KOMBËTARE:
MJAFT!
Mjaft me inate.
Mjaft me kalkulime.
Mjaft me bllokada.
Mjaft me arsyetime se fajin e ka gjithmonë tjetri.
Sepse, kur një shtet mbetet pa institucione funksionale, përgjegjësia nuk mund të fshihet pafundësisht prapa emrit të kundërshtarit.
Secili e bart pjesën e vet të përgjegjësisë e cila pjestohet nga subjekti më i madh deri te ai më i vogli, nga lideri deri te deputeti i fundit.
Uluni dhe gjeni zgjidhjen kushtetuese.
Konstituoni institucionet.
Respektoni afatet dhe procedurat kushtetuese.
Respektoni votën.
Respektoni qytetarin.
Respektoni Republikën!
Sepse historia nuk do t’ju pyesë se kush e mundi kë në një seancë parlamentare.
Historia nuk do të merret gjatë me taktikat tuaja të një dite.
Historia do t’ju bëjë një pyetje shumë më të rëndë:
Kur Republika kishte nevojë për ju, a e vendosët Kosovën mbi veten dhe mbi partinë tuaj ,apo e sakrifikuat shtetin për pushtetin?
Mos harroni:
Ne që dikur e ëndërruam lirinë prapa grilave nuk mund të heshtim kur shohim se si ajo liri konsumohet nga papërgjegjësia politike.
Të gjithë ata që sakrifikuan, luftuan, vuajtën dhe dhanë edhe më të shtrenjtën e tyre për ta bërë Kosovën shtet kanë të drejtë morale t’ju thonë:
MOS LUANI ME SHTETIN!
Postet kalojnë.
Qeveritë ndërrohen.
Kryeministrat vijnë e shkojnë.
Presidentët vijnë e shkojnë.
Kryetarët e Kuvendit vijnë e shkojnë.
Deputetët vijnë e shkojnë.
Kosova duhet të mbetet.
Para se të mendoni për postin, mendoni për amanetin.
Para se të mendoni për partinë, mendoni për Republikën.
Para se të mendoni për fitoren e radhës, mendoni për brezat që do të vijnë pas jush.
Sepse Kosova nuk është pronë e partive politike.
Nuk është pronë e liderëve.
Nuk është pronë e një qeverie apo e një opozite.
Kosova është shteti i qytetarëve të saj dhe amaneti i brezave që sakrifikuan për lirinë e saj.
Dhe mos harroni:
KUR PUSHTETI VLEN MË SHUMË SE SHTETI, ATËHERË TURPI BËHET NORMALITET!
Salih Sefa
Ish-diplomat i Republikës së Kosovës
Ish-i burgosur politik
Veprimtar i çështjes kombëtare!
8 gusht 2026 CH