Promovim libri: Lea Ypi në zemër të Cyrihut
Nga Safet SADIKU
Një promovim ndryshe i Lea Ypit në Cyrih, ku fjala nuk shërbeu thjesht për të prezantuar një libër, por u shndërrua në një mjet për të ndërtuar kuptim të përbashkët, për të ndalur kohën dhe për të ftuar mendimin të ecë përtej zakonshmërisë së promovimeve letrare.
Mbrëmë në Cyrih, një promovim libri u kthye në një ngjarje mendimi, ku fjalët nuk u thanë për të mbushur kohën, por për të sfiduar harresën dhe për të kujtuar që liria, përveçse përjetohet, duhet edhe të kuptohet. Promovimi nuk ishte thjesht një ngjarje letrare, por një ftesë për të menduar thellë mbi kujtesën, lirinë dhe përgjegjësinë që mbajmë ndaj së kaluarës sonë.
Kur një autore vjen nga një vend i vogël me një histori të madhe dhe të ndërlikuar, dhe arrin të flasë me autoritet të barabartë për komunizmin dhe kapitalizmin, për lirinë si përvojë personale dhe si koncept filozofik, për dinjitetin individual dhe përgjegjësinë kolektive, atëherë prania e saj në një qytet si Cyrihu nuk është vetëm një ngjarje letrare, por një ngjarje kulturore me vlerë shumëdimensionale. Takimi me Lea Ypin, që bashkoi fjalën e shkruar me fjalën e folur, përvojën shqiptare me përvojën ndërkombëtare, dhe filozofinë me letërsinë, ishte më shumë se një prezantim libri. Në fakt ishte një reflektim i thellë mbi historinë, kujtesën dhe njeriun në botën e sotme.
Filozofia e kujtesës biografike dhe forca e fjalës
Lea Ypi është një nga zërat më të spikatur të mendimit bashkëkohor europian, që vjen nga Shqipëria. E lindur në Durrës në vitin 1979, Ypi është rritur gjatë viteve të fundit të regjimit komunist dhe ka përjetuar nga afër kalimin e vështirë drejt tranzicionit post-komunist, përvoja që do të shndërroheshin më vonë në temë thelbësore të veprave të saj. Është profesoreshë e teorisë politike në „London School of Economics“ (LSE) dhe bashkëpunëtore kërkimore në Institutin e Studimeve për Humanitetin në Universitetin e Humburgut. Studimet e saj ndërthurin filozofinë politike, teorinë marksiste, etikën dhe historinë e ideve, me një theks të veçantë mbi lirinë, drejtësinë dhe përgjegjësinë politike. U bë e njohur në arenën ndërkombëtare me librin «Free: Coming of Age at the End of History» (Liri: Të rritesh në fund të historisë), një autobiografi filozofike që trajton fëmijërinë e saj në Shqipërinë e vonë komuniste dhe trazirat e pas viteve ’90. Libri u vlerësua gjerësisht nga kritika dhe u përkthye në shumë gjuhë, duke e kthyer Ypin në një autore të lexuar në nivel global. Veprat e saj janë përkthyer dhe botuar në më shumë se 20 gjuhë, përfshirë edhe shqipen. Me veprën e saj të fundit, «Indignity» (Poshtrimi), Ypi vazhdon të eksplorojë dimensionin personal dhe politik të jetës nën dhe pas ideologjive të mëdha, duke sjellë një qasje më introspektive dhe universale ndaj pyetjeve që lidhen me identitetin, përgjegjësinë dhe dinjitetin njerëzor.
Ajo që e bën veprën e Lea Ypit, (siç figuron në botimet ndërkombëtare) të veçantë dhe thellësisht rezonante në ndërgjegjen e lexuesit është mënyra mjeshtërore me të cilën ajo ndërthur përvojat personale të fëmijërisë në një Shqipëri të mbyllur e të coptuar nga komunizmi, (ose “…në një Shqipëri të izoluar dhe të shtypur nën peshën e regjimit komunist”),me reflektime të thella filozofike mbi lirinë, dinjitetin dhe qenien njerëzore si subjekt etik, i aftë për të përjetuar e konceptuar botën përmes filtrit të ndërgjegjes morale dhe përgjegjësisë individuale. Struktura narrative e prezantimit të veprës së saj në Cyrih, e ndërtuar mbi një bashkëbisedim në gjuhën angleze për idetë që qëndrojnë në themel të librit, e ndërthurur me lexime të zgjedhura në gjuhën gjermane për ta afruar audiencën me tekstin letrar në mënyrë intime e të ndjerë, përbën një mënyrë jashtëzakonisht elegante dhe të sofistikuar për ta sjellë këtë tekst para një publiku jo vetëm zviceran, por ndërkombëtar që kërkon jo vetëm përmbajtje, por edhe përvojë kulturore dhe estetike.
Përmendja e detajeve të dukshme si «lagjja Komuna e Parisit», «Shkolla Skënderbeu“ në Tiranë, apo përshkrimet e brendshme të shtëpisë si divani dhe aneksi i vogël familjar, nuk janë thjesht kujtime të konservuara në kujtesën personale, por shndërrohen në nxitës të një reflektimi filozofik, që shpesh arrin dimensione universale duke kaluar përtej lokalitetit, dhe duke i dhënë përvojës së jetuar një vlerë konceptuale. Në këtë kontekst, duket se vepra më e fundit, “Indignity” (e përkthyer në shqip si “Poshtrimi”), është në njëfarë mënyre një vazhdim logjik dhe emocional i librit të saj të mëparshëm, “Liria”, por me një zhvendosje të theksuar drejt introspeksionit të brendshëm, përqendrimit në ndërtimin e identitetit dhe ndërlikimet e marrëdhënieve njerëzore në një botë ku kufijtë mes privates dhe publikes janë shpesh të paqartë.
Ajo që i jep kësaj ngjarjeje një rëndësi të veçantë është fakti se salla e madhe e qendrës kulturore në Cyrih ishte mbushur plot me publik zviceran, i cili jo vetëm që e ndoqi me vëmendje dhe emocione të prekshme diskutimin e autores, por edhe reagoi në mënyrë të vazhdueshme dhe entuziaste përmes duartrokitjeve të gjata, pas pothuajse çdo përgjigjeje të Ypit, duke dëshmuar kështu një respekt të thellë dhe një admirim të pakursyer për të, jo vetëm si autore, por edhe si një prej mendimtareve më të rëndësishme bashkëkohore që vijnë nga hapësira shqiptare.
Ky përqafim i sinqertë ose mbështetje dhe interesim i fuqishëm nga një audiencë ndërkombëtare e përbërë nga lexues të formuar e të ndjeshëm siç janë zviceranët, nuk është vetëm një dëshmi e suksesit të ngjarjes në kuptimin sipërfaqësor të fjalës, por përfaqëson një shembull domethënës të mënyrës sesi një zë që rrënjoset në përvoja shumë specifike historike e kulturore, siç është ai i Lea Ypit, ku mund të kapërcejë me natyrshmëri kufijtë gjuhësorë, kulturorë dhe ideologjikë, për të prekur një dimension më të gjerë njerëzor dhe për të afirmuar universalen përmes së veçantës.
Bileta për të hyrë në sallën e promovimin e këtij libri të Lea Ypit, kushtonte 70 franga zvicerane, ndërsa çmimi i librit ishte 40 franga. Nga komuniteti shqiptar që ndodhej në Cyrih, numërova rreth 7-8 pjesëmarrës, përfshirë edhe veten time.
“Kaufleuten Zürich”, është një qendër e rëndësishme kulturore dhe artistike në zemër të qytetit të Cyrihut, e njohur për organizimin e programeve letrare, muzikore dhe shfaqjeve me figura të njohura ndërkombëtare. Ambientet e saj elegante dhe mikpritëse krijojnë një atmosferë të mrekullueshme, por njëkohësisht dinamike, ku arti dhe ideja bashkohen natyrshëm. Pikërisht në këtë hapësirë prestigjioze, Lea Ypi prezantoi librin e saj “Indignity – A Life Reimagined”, përballë një publiku zviceran të shumtë dhe entuziast, që mbushi sallën deri në vendin e fundit.