Mallkimi i femijeve si diskurs i primitivizmit post modern (Reagim ndaj mallkimit të fëmijëve nga ana e Fahri Xharës)

SYRI TV

Bashkim Aliu

S’ka dyshim se kjo gjeneratë, jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e popujve të tjerë të Ballkanit, dhe më gjerë, po përballet me fenomenin e uljes së numrit të popullsisë, i cili është rezultat i disa faktorëve: socialë, ekonomikë, politikë, e të tjera. Është dhimbje të dëgjosh në lajme se çdo vit regjistrohen më pak nxënës në klasat e para, se mbyllen shkolla të tëra në disa vendbanime si pasojë e rënies drastike të numrit të nxënësve, se shkollat bashkohen për të mundur të mbijetojnë, dhe se pjesë e stafit mësimdhënës cilësohen si tepricë, ndonëse deri para pak kohe kanë pasur orar të plotë mësimor në shkollat përkatëse.

Kjo situatë prodhon efekte negative edhe në fusha të tjera, si: ekonomi, financa, ndërtimtari, prodhim, investime nga kompani të huaja, dhe të tjera. Disa shkolla boshatisen, e disa tkurren në numrin e nxënësve për shkak të transferimeve në Perëndim, uljes së natalitetit, mungesës së interesit për shkollim, kërkimit të perspektivës jashtë arsimit, etj. Kjo ka ngritur alarmin te institucionet dhe intelektualët, që kërkojnë dhe po miratojnë masa të ndryshme për stimulimin e rritjes së natalitetit, ndalimin e ikjes së trurit jashtë vendit, programe sociale për të rinjtë e porsamartuar, asistencë sociale për nënat që lindin, pushime të paguara për nënat që lindin dhe rrisin fëmijë, asistencë sociale për gjyshet që përkujdesen për fëmijët, etj.

Pra, bëhet çdo përpjekje për të ndalur trendin e uljes së natalitetit dhe për të ndaluar largimin e të rinjve dhe familjeve me fëmijë nga vendi, pasi ky fenomen shkakton probleme afatgjata, duke përfshirë edhe përkeqësimin e sistemit pensional për shkak të mungesës së mjeteve në fondin pensioni. Prandaj, fokusi i këtyre masave është te fëmijët dhe të rinjtë; bëhet çdo përpjekje për t’u siguruar atyre një të ardhme të ndritur dhe mirëqenie, pasi ata janë e ardhmja e vendit, shpresa e prindërve dhe garancia e shoqërisë njerëzore.

Por, gjithë ky angazhim dhe fokusim nga ana e institucioneve, shoqërisë dhe palëve të ndryshme, si duket nuk zbatoi ndikim tek disa individë, të cilët në vend që të shqetësohen për të ardhmen e vendit dhe shoqërisë në përgjithësi, gjejnë guximin të mallkojnë fëmijët dhe t’u luten për vdekjen në mënyrën më brutale dhe të turpshme. Ata nuk e thonë thjesht “vdekshi”, por përdorin një fjalë që normalisht përdoret për kafshët: “cofshi”.

Kështu ka shkelur rëndë dinjitetin e fëmijëve të mitur, të cilët ndjekin mësim-besimin islam në një qendër islame shqiptare në Zvicër, edhe Fahri Xhara, i cili, në një postim të qendrës islame përkatëse për mësim-besimin islam, shprehet për fëmijët e mitur të fotografuar në faltoren e qendrës islame: «Cofshin me rëndë, këta janë turpi i kombit».

Është thellësisht shqetësuese dhe e papranueshme që fëmijët, të cilët ndjekin mësim-besimin në një xhami në Zvicër, të bëhen objekt i fyerjeve dhe mallkimeve.

Shprehja «Cofshin me rëndë, këta turpi i kombit», drejtuar fëmijëve, nuk është kritikë, debat apo shprehje e një mospajtimi. Është një gjuhë çnjerëzore dhe e pajustifikueshme, veçanërisht kur drejtohet ndaj fëmijëve që nuk kanë pse të mbajnë mbi shpinë konfliktet, bindjet apo mosmarrëveshjet e të rriturve.

Fëmijët duhen mbrojtur, respektuar dhe edukuar me dashuri, pavarësisht se ku mësojnë, cilës fe i përkasin apo çfarë besimi ndjekin familjet e tyre. Askush nuk duhet t’u urojë vdekjen apo t’i quajë «turp të kombit».

Mund të kemi dallime të mëdha në bindje, fe, ide apo pikëpamje. Por një shoqëri e qytetëruar matet pikërisht nga mënyra se si sillet me të pambrojturit. Fëmijët nuk janë armiq dhe nuk janë fajtorë për bindjet e të rriturve.

Kritika mund të bëhet. Debati mund të bëhet. Kundërshtimi mund të shprehet. Por mallkimi i fëmijëve nuk mund të normalizohet dhe nuk mund të justifikohet.

Respekti për fëmijët duhet të jetë mbi çdo konflikt, bindje apo dallim. Ndoshta prindërit e tyre shfrytëzojnë lirinë dhe të drejtën e garantuar me çdo ligj në botë që fëmijët e tyre t’i edukojnë sipas bindjeve të veta fetare, pavarësisht nëse Fahriut apo dikujt tjetër nuk i konvenon. Këto mënyra të shprehjes, përtej asaj që tregojnë nivelin e personit përkatës dhe vuajtjen shpirtërore të tij, përfshirë këtu edhe shizofreninë, japin një imazh të gabuar për shqiptarët, pasi nxjerrin në pah natyrën e ulët të debatit dhe lëvizjeve që manevrojnë në hapësirën publike shqiptare.

Kështu mallkon fëmijë ky person që jeton në shekullin XXI dhe haptazi shprehet se është islamofob. Por, tash, sa për të vënë para lexuesit një qasje tjetër ndaj mallkimit, do të ndalemi në një rast nga koha e të Dërguarit të Allahut, më shumë se një mijë e katërqind viteve më parë, i cili nuk pranoi as që mëkatari të mallkohej si person, e lëre më fëmijët e mitur dhe të pafajshëm.

Të Dërguarit të Zotit, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, i sollën një person i cili kishte pirë verë, dhe ai ia shqiptoi masën e paraparë ligjore për këtë veprim. Pasi u ekzekutua masa ndëshkuese, dikush i tha: «Allahu ta mallkoftë». Kur e dëgjoi këtë, i Dërguari i Zotit tha: «Mos thoni ashtu, sepse kështu ju i ndihmoni shejtanit që ta mundë atë».

I Dërguari i Zotit, përmes këtij mesazhi, kumtoi qartë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë se Islami nuk e anatemon dhe as nuk e përjashton nga mëshira e Zotit personin që bën ndonjë gabim fetar. Po ashtu, përmes këtij mesazhi, i Dërguari i Zotit nuk e përbuz qenien njerëzore, por tregon respekt dhe konsideratë ndaj njeriut, edhe nëse ai ka bërë shkelje të ndonjë ndalese fetare.

Kjo ndodh ngase ai është dërguar si mëshirë për botët, si dhe si edukator e mësues për njerëzimin, ku vend të veçantë zënë edhe ata që gabojnë. Ata që gabojnë duhet të këshillohen me fjalë të mira, me urtësi dhe butësi. Duhet bërë çdo përpjekje për të arritur deri te zemrat e tyre, me qëllim që t’i braktisin mëkatet dhe të përqendrohen në rrugën e drejtë.

Mënyra e këtillë e trajtimit të mëkatarit, si dhe institucioni i “Teubes” (pendimit), dëshmojnë për pozitën e lartë të njeriut në mësimet islame dhe për orientimin islam që edhe me mëkatarin të komunikohet në mënyrë dinjitoze. Islami dëshiron që njerëzit të pendohen dhe të përmirësohen; ai nuk dëshiron që ata të vazhdojnë të bëjnë mëkate, të poshtërohen si qenie njerëzore dhe, në fund, të përfundojnë në zjarr.

Pikërisht për këtë arsye, i Dërguari i Zotit reagoi ndaj personit që e përbuzi një mëkatar, i cili i ishte nënshtruar masës ndëshkuese për mëkatin që kishte bërë. Ekzekutimi i masës ndëshkuese nuk e legjitimon përbuzjen dhe poshtërimin e njeriut, sepse një qasje e tillë mund të kontribuojë që personi në fjalë të largohet edhe më tej nga rruga e Zotit dhe, në këtë mënyrë, t’i lihet hapësirë djallit për të manipuluar me të.

Poshtërimi i qenies njerëzore dhe mbjellja e pesimizmit lidhur me pranimin e pendimit, përmes një fjalori të ndërtuar ekskluzivisht mbi frikësimin, ndëshkimin dhe zjarrin në komunikimin me njerëzit, i kontribuojnë shtimit të ndikimit të djallit mbi njeriun. Këtë e ka shpjeguar i Dërguari i Zotit në hadithin e përmendur, kur ka thënë: “Mos thoni ashtu, sepse kështu ju e ndihmoni shejtanin që ta mundë atë.”

Tash mbetet për lexuesin të vlerësojë se si ka qenë i Dërguari i Allahut ndaj njeriut shumë shekuj më herët dhe, përballë kësaj qasjeje, të gjykojë se si sillet me fëmijët një kundërshtar i tij në shekullin XXI?!