Për inat të nuses të vdesë djali – gazetaria që hesht kur duhet të flasë

SYRI TV

Dy vjet pas sulmit në Banjske, asnjë media kosovare nuk ka guxuar të raportojë nga terreni, ndërsa propaganda serbe vazhdon të shkruajë historinë siç i konvenon.

Më 24 shtator 2023, fshati Banjska në veri të Kosovës u bë skenë e një sulmi të armatosur që tronditi vendin dhe rajonin. Një grup i organizuar serb, i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, vrau një polic të Kosovës dhe u përlesh me forcat e sigurisë në një akt që u cilësua gjerësisht si terrorist. Dy vjet më vonë, pyetja që mbetet pezull është: Ku janë mediat tona?

Asnjë kamerë nga Kosova në Banjske

Në dy vite, asnjë televizion kosovar nuk ka realizuar një dokumentar të plotë nga vendngjarja. Jo nga Mitrovica e Veriut, jo nga Banjska, jo nga rrugët ku u zhvillua përleshja. Pamjet që qarkullojnë janë arkivore, të marra nga institucionet, ose të huazuara nga mediat ndërkombëtare. Edhe reportazhet e fundit për përvjetorin, ndonëse të mirëpritura, mbeten të thjeshta dhe pa qasje në terren.

Top Channel – i vetmi me pamje ekskluzive

Ironikisht, një televizion nga Shqipëria, Top Channel, ka arritur të depërtojë në zemër të veriut. Dokumentari i Grida Dumës në emisionin Top Story, i transmetuar më 8 shtator 2025, sjell pamje nga Banjska, Ujmani, vila e Radoiçiqit dhe rrëfime nga zyrtarë të Policisë së Kosovës. Një media jo-kosovare, me qasje, kurajë dhe vizion.

Heshtja që flet shumë – kritikë për kolegët tanë

Kjo mungesë e prezencës mediatike në veri nuk është thjesht çështje logjistike. Është simptomë e një frike institucionale, e një mungese investimi në gazetari vizuale, dhe e një neglizhence ndaj kujtesës kolektive. Por mbi të gjitha, është një dështim profesional.

Dhe këtu lind pyetja:

A po heshtim nga frika, nga paaftësia, apo nga kalkulimi politik?

Interes të kujt po mbrojmë duke mos raportuar nga veriu?

A është kjo një sabotim i heshtur ndaj arritjeve të qeverisë Kurti në veri?

A po e ndëshkojmë narrativen institucionale “për inat të nuses me vdek djali”?

Kolegë gazetarë, redaktorë, drejtues mediash – ky është momenti për të reflektuar. Nuk mjafton të flasim për profesionalizëm në konferenca, kur nuk guxojmë të shkojmë në Banjske. Nuk mjafton të kritikojmë propagandën serbe, kur nuk e kundërshtojmë me fakte vizuale nga terreni.

Pse nuk dalim në terren?

Pse nuk shkojmë të marrim intervista nga banorët shqiptarë të asaj ane?

Pse jo edhe banorë serbë, apo nga komunitete të tjera që jetojnë në veri?

Pse nuk dalim në terren, të marrim pamje, të paraqesim si ka qenë dhe si është sot?

Siç e dimë shumica që ka vizituar atë zonë, sidomos popullata vendore, liria e lëvizjes ekziston. Nuk është e pamundur të shkojmë. Por duket se nuk duam. Apo nuk na lejojnë? Apo nuk na konvenon?

Nëse nuk e dokumentojmë vetë, të tjerët do ta bëjnë si ju konvenon

Nëse nuk e dokumentojmë vetë Banjskën, por edhe ngjarjet e tjera kyçe – luftën e fundit, përpjekjet për shtet ndërtim, përballje me strukturat paralele – të tjerët do ta bëjnë për vete, e si donë vet. Nëse nuk e shkruajmë historinë vet, të tjerët mund ta shkruajnë si ju konvenon. Dhe historia e shkruar nga të tjerët, shpesh bëhet armë kundër nesh.

Propaganda e Serbisë është e madhe, e sofistikuar dhe aktive. Ndërsa ne shqiptarët, shpesh bëjmë propagandë mes vete. Mos bashkimi, mosbashkëpunimi, edhe kur cenohet integriteti territorial, shteti ynë, kombi ynë – kjo është e rëndë. Na ka kushtuar çdo herë. Dhe po na kushton sërish. Siç duket, interesat personale, përfitimet personale, janë bërë më të rëndësishme se e vërteta, se historia, se drejtësia.

Nëse nuk e dokumentojmë vetë, të tjerët do ta bëjnë për vete. Dhe historia nuk pret.