Nga Besim Laci
Sot është 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. Në Tiranë, Prishtinë e Shkup, kjo ditë shënohet me fjalime pompoze, urime të stisura në rrjetet sociale dhe fotografi politikanësh që pozojnë krah të vegjëlve. Por, për qindra mijëra fëmijë shqiptarë që lindin dhe rriten në diasporë “mërgim”, kjo ditë kalon në një heshtje shurdhuese. Unë, nga Syri TV, e ndiej si detyrim të sjell në vëmendje një realitet tjetër: atë të heronjve të vegjël që mbajnë dy botë në një zemër, por që shpesh lihen në harresë dhe përballen me pengesa në çdo hap.
Të rritesh si fëmijë emigranti në Zvicër, apo kudo tjetër në Evropë, nuk është një rrugë e shtruar me lule. Këtyre fëmijëve, djem e vajza që jetojnë mes dy kulturave, u duhet të përballen çdo ditë me një presion të dyfishtë. Në bankat e shkollës, në fushat sportive dhe në arenat e garave, ata duhet të punojnë, të stërviten dhe të djersitin dyfish më shumë se bashkëmoshatarët vendas. Vetëm kështu thyejnë barrierat e një racizmi të heshtur, mposhtin paragjykimet dhe dëshmojnë vlerat e tyre.
Megjithatë, përballë kësaj sakrifice të madhe të fëmijëve dhe prindërve të tyre, pengesat vijnë shpesh edhe nga brenda, përveç mospërfilljes institucionale.
Edhe vetë shkolla shqipe, mësimi plotësues që është jetik për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit, lëngon thellë. Ajo mbahet gjallë nga sakrifica e prindërve dhe vullneti i hekurt i pak mësuesve të përkushtuar. Por, nga ana tjetër, ky sistem shpesh mbahet peng nga individë dhe disa “mësues” që udhëhiqen nga interesat personale, mendjemadhësia dhe etja për lavdi. Ata krijojnë pengesa artificiale, mbajnë dyer të mbyllura dhe nuk bëjnë as edhe një kërkesë të vetme institucionale pranë shteteve pritëse që gjuha shqipe të njihet të paktën si lëndë zgjedhore. Nuk angazhohen as për të negociuar orare të përshtatshme për nxënësit brenda shkollave vendase, ndonëse mundësitë ligjore ekzistojnë.
Situata rëndohet më tej nga mungesa e mbështetjes së mirëfilltë, buxhetore dhe strategjike nga qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë. Përtej premtimeve boshe nëpër fushata verore, mungojnë tekstet e duhura, investimet dhe vullneti shtetëror.
Ambasadat dhe përfaqësitë konsullore të Kosovës dhe Shqipërisë shpesh funksionojnë si zyra të ftohta burokratike, pa vizion dhe pa projekte konkrete që do të afronin fëmijët dhe rininë me shtetet e tyre amë. Ndërkohë, shoqatat e panumërta të mërgatës shpesh humbin energji në përçarje të brendshme, duke dështuar të krijojnë një mjedis stimulues për gjeneratat e reja.
Këta fëmijë nuk kanë nevojë për lëmoshë fjalësh, as për pengesa të shtuara. Ata janë ambasadorët tanë më të pastër, talentet që lartësojnë emrat e kombeve evropiane, duke mbajtur thellë në shpirt identitetin e tyre shqiptar.
Është koha e fundit që shtetet tona, ambasadat, mësuesit dhe organizatat e diasporës të zgjohen dhe të mbajnë përgjegjësi. Fëmijët e mërgatës meritojnë respekt të thellë, mbrojtje dhe rrugë të hapura, jo barriera të ngritura nga paaftësia apo interesat personale.
Gëzuar 1 Qershorin, fëmijë të diasporës! Jeni krenaria jonë më e madhe!