Z. Vigan Berisha Konsull i Republikës së Kosovës në Zürich, mirëpret Enkel Rexhepi, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës

SYRI TV

Konsulli i Republikës së Kosovës në Zürich z. Vigan Berisha në faqen e tij në FB shkruan se ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Enkel Rexhepi, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.

Me këtë rast, e përgëzova për punën e jashtëzakonshme, përkushtimin dhe angazhimin e tij në krye të institucionit më të lartë përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Gjatë takimit, u njoha nga afër me aktivitetet, sfidat dhe prioritetet e Këshillit Kombëtar Shqiptar, si dhe me përpjekjet e vazhdueshme për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave kombëtare, arsimore, kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Biseduam gjithashtu për rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e mërgatës shqiptare në mbështetjen e projekteve dhe iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin dhe afirmimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Me këtë rast, theksova se Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, do të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër. Në kuadër të mandatit tonë, do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje institucionale, të kultivojmë bashkëpunimin me përfaqësuesit e tyre dhe të kontribuojmë në forcimin e lidhjeve me vendlindjen.

I urova z. Rexhepi suksese të mëtejshme në misionin e tij fisnik dhe të rëndësishëm në shërbim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe avancimit të të drejtave të tyre.