Komuniteti akademik dhe arsimi në vend kanë humbur një nga figurat e çmuara. Është ndarë nga jeta profesoresha e njohur, Prof. Mimoza Doko Perçuku.
Lajmi i hidhur është konfirmuar nga Kolegji AAB, institucion ku ajo shërbeu për vite me radhë me përkushtim dhe integritet të lartë profesional. Përmes një telegrami ngushëllimi, ky institucion ka shprehur dhimbjen e madhe për këtë humbje.
Më poshtë vijon telegrami i plotë i ngushëllimit nga Kolegji AAB:
«Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Mimoza Doko Perçuku. Në emër të Kolegjit AAB, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe gjithë komunitetit akademik për këtë humbje të madhe.
Prof. Mimoza Doko Perçuku do të kujtohet përherë për kontributin e çmuar në arsim, shkencë dhe formimin e brezave të rinj, si dhe për përkushtimin, integritetin dhe profesionalizmin. Përmes veprimtarisë së saj shumëvjeçare, ajo la gjurmë të pashlyeshme në edukimin e brezave të rinj, në avancimin e dijes dhe në kultivimin e vlerave më të larta universitare.
Humbja e saj është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe kolegët, por edhe për institucionin tonë dhe për mbarë komunitetin akademik. Duke nderuar kujtimin dhe veprën e saj, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë të thellë.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e saj. U prehtë në paqe!”