Shqiptarët në Zvicër nderojnë Skënderbeun përmes sportit e traditës

Syri

BÜLACH, ZVICËR – Nën organizimin e Shoqatës «Gjergj Kastrioti», në Bülach të Zvicrës është mbajtur sot manifestimi kulturor dhe sportiv për nder të 621-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Ky aktivitet, i cili bëri bashkë qindra pjesëtarë të mërgatës shqiptare, u përmbyll me turneun e mundjes së duarve “Gjergji i Pamposhtur”.

Aktiviteti nisi në orën 12:00 nën moderimin e Artan Muhaxhirit, me intonimin e Himnit Kombëtar dhe performancën artistike «Kushtrimi i Skënderbeut», të interpretuar nga Fjolla Berisha. Pas fjalës përshëndetëse të përfaqësuesit të shoqatës, Agim Pepaj, të pranishmit u përshëndetën nga Konsulli i Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Vigan Berisha, i cili oli gjithashtu në emër të përfaqësive diplomatike të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Programi kulturor dhe historik

Pjesa kulturore e manifestimit vijoi me recitimin e poezive «Bagëti e bujqësi» dhe «Djali dhe shqiponja» nga fëmijët Nerona Uka dhe Jon Sabriu. Më pas, Ansambli «Vatra» u prezantua para publikut me tablonë koreografike «Liria ka Emër».

Një rëndësi e veçantë gjatë këtij organizimi iu kushtua edhe aspektit dokumentar e historik. Studiuesi Paulin Zefi, i pranishëm nga Lezha, mbajti një kumtesë me temë «Fuqia e Gjergjit», e cila u pasua nga interpretimi i këngës «Albulena» nga Fjolla Berisha.

Turneu sportiv dhe karakteri familjar

Pas përfundimit të programit skenik, nisi zyrtarisht turneu i mundjes së duarve “Gjergji i Pamposhtur”. Ky turne u zhvillua në kategoritë e meshkujve dhe femrave, duke tërhequr pjesëtarë dhe garues nga disa vende të Evropës.

Sipas organizatorëve, ngjarja kishte karakter të hapur familjar; krahas garës kryesore sportive, për fëmijët e pranishëm u zhvilluan punëtori arti dhe aktivitete të ndryshme edukative.

Manifestimi u përmbyll me ndarjen e certifikatave, medaljeve dhe mirënjohjeve për fituesit dhe kontribuesit. Përmes këtij aktiviteti, shoqata “Gjergj Kastrioti” synon ruajtjen, promovimin dhe trashëgiminë e identitetit kombëtar e kulturor shqiptar në diasporë.