Kongresistët amerikanë në Preshevë: “Serbia duhet të adresojë problemet e shqiptarëve”

SYRI TV

Presheva mirëpriti delegacionin e kongresistëve amerikanë, të cilët zhvilluan takime me përfaqësues politikë dhe institucionalë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Delegacioni amerikan u prit nga kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, zv.kryetari i komunës Ragmi Mustafa, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Enkel Rexhepi dhe kryetari i Komunës së Bujanocit Arber Pajaziti.

Kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam theksuan se ekzistojnë shqetësime reale lidhur me pozitën e shqiptarëve në jug të Serbisë. Ata deklaruan se Serbia duhet të adresojë çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve, përfshirë përfaqësimin institucional, arsimin, zhvillimin ekonomik dhe pasivizimin e adresave.

Në takimet e zhvilluara u diskutua edhe për mungesën e shqiptarëve në institucionet shtetërore, mosnjohjen e diplomave nga Kosova, përdorimin e gjuhës shqipe dhe largimin e të rinjve nga Lugina e Preshevës.

Vizita e delegacionit amerikan po konsiderohet si një sinjal i rëndësishëm i vëmendjes ndërkombëtare ndaj pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.