Më 28 qershor 1389, në Fushë Kosovë u zhvillua një ndër betejat më të rëndësishme të kohës mes forcave osmane, të udhëhequra nga Sulltan Murati I, dhe një koalicioni të gjerë të popujve të Ballkanit. Kjo nuk ishte një betejë thjesht serbe, siç është paraqitur shpesh nga historiografia nacionaliste, por një përpjekje e përbashkët e shqiptarëve, serbëve, boshnjakëve, rumunëve dhe hungarezëve për të ndalur zgjerimin e Perandorisë Osmane në Evropën Juglindore.
Një ndër kontribuuesit kryesorë në këtë koalicion ishte Principata e Balshajve, e cila në atë kohë shtrihej nga Durrësi deri në Shkodër dhe përfaqësonte forcën kryesore shqiptare në këtë përballje. Në këtë betejë, shqiptarët u përfaqësuan me dinjitet dhe sakrificë, madje, sipas burimeve të ndryshme, vetë Sulltan Murati I u vra nga luftëtari arbëror Milosh Kopili, nga fshati Kopiliq i Drenicës, një fakt që ende mbetet i nënvlerësuar në historiografinë zyrtare.
Ironia e madhe është se ndonëse kjo betejë përfundoi me fitore osmane dhe me humbje të madhe për forcat ballkanike, përfshirë ato serbe, Serbia e ka mitologjizuar këtë ditë si një simbol kombëtar të “sakrificës” dhe “martirizimit”. Çdo vit, përfaqësues politikë e fetarë serbë, bashkë me elementë nacionalistë, vijnë në Gazimestan për ta “festuar” këtë betejë të humbur – me qëllimin për të mbjellë idenë se Kosova është “djepi i Serbisë”, duke përjashtuar kështu rolin shekullor të shqiptarëve në këto treva.
Kjo është një përpjekje e qëllimshme për ta përdorur historinë si instrument politik, për të justifikuar pretendimet territoriale dhe për të ndikuar në opinionin publik ndërkombëtar, sikur historia e Kosovës nis dhe përfundon me Serbinë. Kjo narrativë është jo vetëm e rreme, por edhe thellësisht fyese për të vërtetën historike dhe për popullin shqiptar.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës këtë vit për të ndaluar shpalosjen e flamujve dhe simboleve nacionaliste serbe në Gazimestan ishte një hap i drejtë, i matur dhe i nevojshëm. Të tilla masa duhen forcuar edhe më tej, në mënyrë që të parandalohet instrumentalizimi i territorit të Kosovës për mesazhe politike dhe historike që bien ndesh me të vërtetën dhe me vetë themelet e shtetësisë së Kosovës.
Në këtë kontekst, është urgjente që Akademia e Shkencave e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, në bashkëpunim me institucionet akademike ndërkombëtare, të organizojnë një konferencë shkencore ndërkombëtare kushtuar Betejës së Kosovës së vitit 1389. Në këtë konferencë duhet të ftohen albanologë, historianë dhe studiues të njohur nga Evropa Perëndimore, Ballkani dhe Turqia, me qëllim që të ndriçohet e vërteta e kësaj ngjarjeje madhore historike.
Kjo ngjarje nuk mund të lihet peng i miteve politike dhe përpjekjeve për përvetësim. E vërteta historike duhet të thuhet me zë të plotë: në Fushën e Kosovës luftuan shumë popuj, dhe shqiptarët ishin ndër kontribuuesit më të rëndësishëm në atë koalicion ballkanik kundër perandorisë osmane. Përpjekja për të përjashtuar këtë fakt është jo vetëm e padrejtë, por edhe e rrezikshme për paqen dhe të ardhmen e rajonit.
Koha për t’u përballur me të vërtetën ka ardhur. Historia nuk është pronë e askujt, por e fakteve.