Pashkët në Luzern Komuniteti Katolik Shqiptar përjeton ditët e shenjta me pjesëmarrje të jashtëzakonshme

Syri

Komuniteti Katolik Shqiptar në Luzern ka kremtuar Triduum-in e Shenjtë dhe festën e Pashkëve me një pjesëmarrje të madhe dhe një atmosferë të thellë përshpirtërie, duke dëshmuar gjallërinë e besimit dhe ruajtjen e traditave shqiptare në diasporë.

E Enjtja e Madhe – Mesazh shërbimi dhe përvujtërie

Kremtimet nisën me të Enjten e Madhe, ku gjatë meshës solemne u krye riti i larjes së këmbëve të 12 burrave, simbol i përvujtërisë së Krishtit. Në predikimin e tij, don Antoni theksoi thirrjen për shërbim dhe dashuri pa kushte. Mbrëmja u mbyll me një darkë të përbashkët, të përgatitur me përkushtim nga Engjëll Marku dhe motër Vida Ademi.

E Premtja e Madhe – Adhurim dhe reflektim

E Premtja e Madhe u përjetua në heshtje dhe meditimi të thellë. Riti i adhurimit të kryqit mblodhi qindra besimtarë, të cilët iu afruan me devocion simbolit të flijimit të Krishtit. Lutjet vazhduan deri në mesnatë, me familje që vinin për t’u lutur në qetësi dhe për të qëndruar pranë kryqit.

Nata e Pashkëve – Drita e ringjalljes

Nata e Pashkëve u kremtua në Zug dhe Luzern, duke nisur me bekimin e zjarrit dhe ndezjen e qiriut të Pashkëve, simbol i Krishtit të ringjallur. Procesioni me qirinj të ndezur shënoi kalimin nga errësira në dritë. Don Antoni ftoi besimtarët drejt ripërtëritjes së brendshme dhe jetimit të vlerave ungjillore. Në fund u bekua buka e Pashkëve, një traditë e ruajtur ndër breza në familjet shqiptare.
E Diela e Pashkëve – Festë, traditë dhe bashkim

Dy meshë u kremtuan në Goldau dhe Sursee, me pjesëmarrje të madhe të besimtarëve nga zona të ndryshme të Zvicrës. Fëmijët e veshur me kostume tradicionale shqiptare i dhanë kremtimit një atmosferë të veçantë festive. Kori i udhëhequr nga motër Mrika i dha meshës solemnitet të veçantë, ndërsa këshilltarët e Misionit siguruan mbarëvajtjen e organizimit. Në Sursee morën pjesë edhe mysafirë nga Zvicra dhe Franca, përfshirë meshtarin don Marjan Shtjefen Ukaj.

Pas meshës u shpërndanë vezët e Pashkëve dhe u shërbyen pije tradicionale, të përgatitura nga Vilson Gjoni dhe Albert Nikolla, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse.

Besim dhe identitet shqiptar në zemër të Zvicrës
Kremtimet e Pashkëve në Luzern dëshmuan unitetin, devocionin dhe identitetin e fortë të komunitetit shqiptar, i cili edhe larg atdheut vazhdon të ruajë me përkushtim vlerat shpirtërore dhe kulturore.

Gëzuar Pashkët!