Kur konsulli është mik i librit e diplomacia ndihmon kulturën, aty frymon shpirti i kombit,

Në një kohë kur heshtja shpesh ngatërron udhën me mospërfilljen, e fjala e shkruar e ka të vështirë të gjejë mikpritje të dinjitetëshme në hapësira zyrtare, ka ende njerëz që e kuptojnë se kultura nuk është zbukurim protokollar, por frymë kombëtare.
Ka njerëz që nuk e bëjnë zhurmshëm dashurinë për kulturën – e bëjnë me hapa të qetë, por të pandalshëm; me durim prej themeluesi dhe me përkushtim prej njeriu që e di se fjala, libri dhe kujtesa janë thesare që nuk guxojnë të humbasin.
Këtu në Zvicër, larg atdheut gjeografik, por pranë trungut shpirtëror, një konsull nuk rri në zyrë për të mbajtur radhë emrash e firmash. Ai del përpara fjalës, qëndron afër autorëve, u jep dorë librave dhe i hap dyert e selisë së tij mendimit të lirë dhe krijimit letrar. Në një tokë ku shumëçka është larg, ku kufijtë janë të vërtetë dhe gjuha rrezikon të bëhet e huaj në shtëpitë e veta, ai – konsulli i fjalës dhe i shpirtit – e kthen selinë diplomatike në shtëpi libri, në vend takimesh të shpirtit shqiptar me vetveten.
Asnjë orë letrare nuk kalon pa praninë e tij. Asnjë fjalë e shkruar nuk mbetet pa jehonë. Ai nuk është vetëm mikpritës i poetëve, shkrimtarëve, artistëve, lexuesve dhe dashamirëve të kulturës – është frymëzuesi i heshtur i gjithë atyre që ende besojnë se libri është urë, se letërsia është atdhe i brendshëm dhe se diplomacia ka një gjuhë që nuk shkruhet në traktate – por në poezi, në kujtesë, në bibliotekë. Vetëm gjatë këtij viti, në hapësirat e konsullatës shqiptare, u organizuan disa promovime librash të autorëve tanë, duke e kthyer atë ambient në shtëpi të librit dhe të shpirtit krijues shqiptar. Dhe jo vetëm kaq: në thuajse çdo orë letrare që u organizua në qytete të ndryshme të Zvicrës, ai ishte aty – me praninë e tij, me fjalën e tij, me nxitjen e tij.
Ai nuk e sheh librin si zbukurim rafte, por si shkëndijë mendimi dhe mburojë identiteti. Me mbi një mijë libra të mbledhur në bibliotekën e konsullatës, me net të shumta ku fjala shqiptare është trajtuar me kujdes ceremonial, ai e ka zgjeruar kufirin e shtetit tonë në tokë të huaj – jo me flamuj, por me frymë.
Nuk erdhi në takimet kulturore vetëm si zyrtar që kryen një detyrë, por si njeri që beson thellë në fuqinë e fjalës dhe në misionin e kulturës për të na mbajtur gjallë, për të na lidhur, për të na kujtuar se kush jemi. Ai formoi një bibliotekë me mbi 1000 libra në ambientet e konsullatës – një dëshmi e gjallë se malli për atdhe nuk matet vetëm me flamuj, por edhe me libra, me letërsi, me kujtesë të përbashkët.
Në një kohë kur mjaft institucione i shmangen përkushtimit ndaj kulturës, ky konsull i fjalës na mëson se diplomacia më e thellë është ajo që flet me zë të butë, por me zemër të madhe. Dhe nëse ka një ambasadë që i përket mendimit, ai është përfaqësuesi i saj më i denjë.
Për këtë burrë të përkushtuar, kjo ese është një përulje mirënjohjeje – sepse kur konsulli bëhet mik i fjalës, kombi ndjehet më i plotë.
Për këtë burrë të heshtur të kulturës, që në secilën fjalë bart kujdesin për rrënjët dhe kujtimin, që e bën vendin e vet të ndjehet më afër e më krenar, kjo ese është një përkulje mirënjohjeje.
Sepse konsuj të tillë janë rrallë, por kur janë, fjala jonë ndihet e mbrojtur – dhe e nderuar.
Bardhec Berisha – Bardhi