PLAGË QË FLASIN
Mbi hartën e shpirtit tonë kombëtar
janë shënuar plagë me gjak,
jo me bojë,
plagë që s’i mbyll as koha,
as harresa,
as pluhuri i shekujve.
Ato flasin
sa herë toka merr frymë,
sa herë emri Reçak shqiptohet,
sa herë një nënë shikon qiellin
e pret djalin që s’u kthye kurrë.
Kjo dhimbje nuk është lot …
është rrufe në damarë,
është thirrje në gurë,
është zë që s’dua ta heshtë
as unë,
as biri im,
as nipi që ende fle në prehër të kohës.
Sepse e keqja që mbulohet me harresë
kthehet si hije,
si bishë pa emër,
si natë pa agim.
Prandaj dhimbjen nuk e fsheh …
e mbaj si flamur,
si plagë që ruan kujtesën,
si zjarr që ndriçon rrugën e brezave.
Me sa zë që kam,
me sa mushkëri më ka dhënë kjo tokë,
bërtas përtej kohës …
Duajeni LIRINË …
ajo është fryma e këtij dheu!
Nderoni ÇLIRIMTARËT …
ata janë rrënjët e dritës!
Ruajeni SHQIPTARIZMËN …
se është gjaku që s’thahet,
gjuha që s’vdes,
besa që nuk thyhet!
Sepse ky komb nuk rron nga harresa,
por nga kujtesa që digjet
dhe nuk shndërrohet kurrë në hi.
Dan KOSUMI – Poet