Shoqëria Kulturo-Artistike “Albakult” Ruajtja e kulturës dhe traditës shqiptare në mërgatën e Zvicrës

SYRI TV
Ruajtja e kulturës dhe traditës shqiptare në mërgatën e Zvicrës përmes artit dhe aktiviteteve patriotike e kulturore.
Intervistoi: Sokol Paja
Patrioti Ajet Cërvadiku, udhëheqës artistik i Shoqërisë Kulturo-Artistike “Albakult” rrëfen për Diellin e Vatrës në New York, aktivitetet e larmishme atdhetare, kulturore dhe komunitare për të ruajtur e zhvilluar trashëgiminë kulturore dhe identitare shqiptare në mërgatën e Zvicrës.
Historiku i themelimit të “Albakult”
Shoqëria Kulturo-Artistike “Albakult” u themelua më 21 shkurt 2022 në Ostermundigen, Bern të Zvicrës.
Para themelimit të saj, nga viti 2009 deri në vitin 2021, për 12 vite ishim pjesë e Shoqatës “Bashkimi” në Bern si ansambël muzikor. Në vitin 2021, pas zgjedhjes së një kryesie të re në atë shoqatë, neve si grup muzikor na u kufizuan mundësitë për të vazhduar aktivitetin si më parë. Pas tre muajsh, morëm iniciativën për të themeluar Shoqërinë Kulturo-Artistike “Albakult” (në gjermanisht: Albanische Kultur), e cila sot përfaqëson me dinjitet kulturën shqiptare në Zvicër.
Veprimtaritë artistike që zhvilloni gjatë vitit
Gjatë vitit organizojmë dy koncerte me karakter kombëtar:
28 Nëntori – Festa e Flamurit
17 Shkurti – Dita e Pavarësisë së Kosovës
Gjithashtu, kremtojmë 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, si një vlerësim për rolin e gruas shqiptare në shoqëri. Përveç këtyre, jemi të pranishëm në ngjarje të shumta kulturore dhe interkulturore në Bern dhe rajone të tjera, si dhe në evente të organizuara nga komunitetet e huaja. Jemi të angazhuar vazhdimisht në aktivitete të Klubit Futbollistik “Prishtina Bern” dhe paraqitemi shpesh në emisione televizive të ndryshme në Zvicër.
Roli i “Albakult”-it në ruajtjen e traditës dhe kulturës kombëtare në diasporën e Zvicrës
Misioni ynë është të mbajmë të bashkuar komunitetin shqiptar në Zvicër dhe t’i përcjellim brezave të rinj kulturën dhe traditat tona të çmuara. Duke qenë larg vendlindjes, ndjejmë përgjegjësinë që përmes këngës, valles dhe instrumenteve tradicionale – si çiftelia, sharkia, fyelli, e daullja – ta ruajmë identitetin tonë kombëtar dhe ta kultivojmë me dashuri e përkushtim.
Aktivitetet tona janë ura që lidhin të kaluarën me të ardhmen, dhe shërbejnë si shkollë për fëmijët shqiptarë të rritur në mërgatë.
Bashkëpunimi me organizatat shqiptare në Zvicër
Që nga themelimi e deri më sot, kemi ndërtuar bashkëpunime të qëndrueshme me shumë organizata dhe shoqatat shqiptare në Zvicër, ndër të cilat veçojmë:
Shoqata “Atdheu” në Thun
Klubi i Motociklistëve “SHQIPONJAT” në Bern
Klubi Futbollistik “FC Prishtina Bern”
Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër
Gjithashtu, kemi bashkëpunim të rregullt me emisionin “Fol Shqip Show” dhe me televizionin “TV SYRI” në Grenchen.
Çmime dhe vlerësime kombëtare e ndërkombëtare
“Albakult” është vlerësuar me mirënjohje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, si dhe nga organizatat me të cilat bashkëpunojmë.
Mirënjohje ndërkombëtare nuk kemi marrë ende, por vlerësimet nga bashkësia shqiptare na motivojnë të vazhdojmë punën me përkushtim të madh.
Projekte për të ardhmen – binjakëzimi dhe bashkëpunimet e reja
Deri më sot nuk kemi realizuar ndonjë projekt binjakëzimi me organizata të tjera kulturore apo artistike, por jemi të hapur ndaj çdo mundësie për bashkëpunim të ndërsjellë në të ardhmen. Çdo ofertë serioze do të shqyrtohet me vëmendje dhe mirëbesim. Në përfundim, Albakult vazhdon misionin e vet në ruajtjen e vlerave tona kombëtare, duke e kthyer artin në urë bashkimi dhe forcë frymëzuese për të gjithë shqiptarët në diasporë.