Në ora 20:00 u mbyllën vendvotimet në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe në gjithë Serbinë, ku sot u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Votuesit që ishin në radhë në momentin e mbylljes kanë ende të drejtë të votojnë.
Dita u shënua nga një dalje shumë e lartë. Sipas vlerësimit të CeSID-it dhe Ipsos-it, deri në ora 19:00 kishin votuar 67,6 për qind e votuesve në Serbi, që është më shumë se dalja përfundimtare në zgjedhjet e vitit 2023.
Në Komunën e Preshevës, deri në ora 19:00 kishin votuar 16.585 qytetarë nga gjithsej 44.602 votues me të drejtë vote, ose 37,18 për qind. Në Bujanoc, deri në ora 16:00 kishin votuar 12.662 qytetarë. Dalja në Luginë u rrit ndjeshëm pasdite, kur pati një fluks të madh votuesish që jetojnë në Kosovë.
Shqiptarët e Luginës garuan me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me numrin 17. Tani fillon numërimi i votave, ndërsa rezultatet e para pritet të publikohen gjatë mbrëmjes.