Albin Kurti: Arritje e jashtëzakonshme, bashkimi politik i shqiptarëve po shndërrohet në përfaqësim më të fuqishëm

SYRI TV

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si “arritje të jashtëzakonshme” rezultatin e “Koalicionit Shqiptar” në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Në një postim në Facebook, Kurti shkruan se sipas rezultateve paraprake Koalicioni Shqiptar ka marrë 27.230 vota në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që me bonusin prej 35 për qind për pakicat kombëtare vlejnë sa 36.761 vota në ndarjen e mandateve. Sipas tij, kjo i jep listës dy mandate të projektuara në Kuvendin e Serbisë, ndërsa gara për të tretin mbetet ende e hapur.

“Bashkimi politik i shqiptarëve po shndërrohet në përfaqësim më të fuqishëm parlamentar”, shkruan Kurti.

Ai i komentoi edhe rezultatet në nivel të Serbisë, duke kujtuar se Aleksandër Vuçiq e ka pranuar publikisht humbjen përballë Listës Studentore, ndërsa lista e Ivica Daçiqit, sipas projeksioneve paraprake, mbetet nën pragun prej 3 për qind.

Kurti përgëzoi të gjithë qytetarët dhe subjektet politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që, siç tha ai, e bënë të mundur këtë bashkim. Marrëveshja për listën e përbashkët u arrit më 29 shtator në zyrën e tij në Prishtinë.