Ismail Kadare flet për shqiptarët në Preshevë, ka një porosi për Tiranën dhe Prishtinën- Intervista e fundit me Ismajl Kadarenë

SYRI TV

Shkrimtari yne i madh me renome botërore, Ismail Kadare ne bisede me gazetari nga  Gjeneva Nefail Maliqin kryredaktor i gazetës zvicerane Le Canton27.ch 

Shkrimtari i njohur shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare, së fundmi mori pjesë në edicionin e 23-të të Panairit të Librit në Prishtinë. Përveç Kadaresë, në ceremoninë e hapjes së Panarit të Librit kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të cilët mbajtën edhe nga një fjalë rasti.

Shkrimtari ynë i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare, në fjalën e tij ftoi për unitet liderët shqiptarë në Kosovë dhe Ballkan, në këto momente kur e tërë bota i ka sytë kah Kosova!

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim shkrimtarin e madh shqiptar me renome ndërkombëtare, Ismail Kadaren. Në komunikatën për media bëhet e ditur se Kurti dhe Kadare kanë diskutuar për letërsinë, historinë dhe kulturën e popullit shqiptar.

Pas kryeministrit Kurti dhe ministrit të Kulturës, Hajrullah Cekut, Kadare, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe kolegia e tij (shkrimtare), Elena Kadare, ka takuar edhe redaktorin e gazetës zvicerane në shqip, Le Canton27.ch, Nefail Maliqi, me të cilin kanë biseduar për librat, lexuesit shqiptarë dhe situatën aktuale në Kosovë, për shqiptarët të lënë pas dore në Serbi (Luginën e Preshevës) dhe diasporën shqiptare.

Kadare: Të mos preken kufijtë e Kosovës!

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare është shprehur kundër rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka ripërsëritur për gazetën zvicerane në shqip, Le Canton27.ch, se “një lëvizje e tillë do të cenonte stabilitetin në Ballkan”.

Duke komentuar situatën në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, Kadare tha se Tirana dhe Prishtina nuk duhet vetëm të shqetësohen, por të veprojnë më shumë për shqiptarët e diskriminuar në atë pjesë.

“Situata në Luginën e Preshevës është shumë e vështirë, ku popullata e asaj zone, shqiptarët në trojet e tyre etnike, në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare, si dikur, para vitit 1999 në Kosovë. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, sikurse viset e tjera të Ballkanit, duhet të jetë drejt Evropës, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Në këtë drejtim, Tirana dhe Prishtina duhet jo vetëm të shqetësohen, por edhe të veprojnë më shumë për shqiptarët e diskriminuar në Luginën e Preshevës, sepse për të drejtë, kjo pjesë e popullsisë sonë është më e diskriminuar sot në Ballkan dhe Evropë”, ka theksuar Kadare.

Kadare tha dy shtetet tona të kujdesen po ashtu edhe për diasporën shqiptare, që po mban “gjallë” atdhun.

“Nuk mjafton të luftohet asimilimi i të rinjve tanë nëpërmjet deklaratave, nëse nuk veprojmë në rregull. Këtu e kam fjalën që qeveritë tona të dërgojnë sa më shumë literaturë, libra në shqip, sidomos Abetare dhe libra të tjerë mbi kulturën, traditën dhe historinë tonë të lavdishme”, ka thënë Kadare.