Lirim Begzati: ME GURË NUK NDËRTOHET ASNJË SHTET

SYRI TV
Lirim Begzati
Pamjet që vijnë këto ditë nga Shqipëria janë shqetësuese. Persona me fytyra të mbuluara sulmojnë forcat e rendit me gurë dhe sende të rrezikshme. Dyqane plaçkiten, prona shkatërrohen. Ku të çonë e gjithë kjo?
Zemërimi i shumë qytetarëve, e veçanërisht i të rinjve, është i kuptueshëm dhe meriton të dëgjohet. Papunësia, pagat e ulëta, korrupsioni dhe mungesa e perspektivës nuk janë shpikje. Pikërisht për këtë arsye, mënyra si shprehet ky zemërim ka rëndësi.
Protesta është liri kushtetuese, e garantuar në çdo demokraci. Të dalësh në rrugë për të shprehur mospajtimin me qeverinë, për të kërkuar kushte më të mira jetese apo dorëheqjen e kryeministrit, është pjesë e natyrshme e jetës demokratike.
Por kjo liri ka një kufi të qartë: dhunën. Asgjë nuk e justifikon sulmin ndaj policëve, plaçkitjen e dyqaneve apo shkatërrimin e pronës. Këto nuk janë akte politike. Ato dëmtojnë njerëz dhe tregtarë që shpesh vuajnë po ato vështirësi që protestuesit denoncojnë. Mbi të gjitha, ato i diskreditojnë kërkesat legjitime të shumicës që protestojnë në mënyrë paqësore.
Cili është qëllimi përfundimtar? Kjo është pyetja që duhet t’u drejtohet organizatorëve dhe pjesëmarrësve.
Shpesh kërkohet dorëheqja e kryeministrit. Le të supozojmë se ajo ndodh nesër. Po pastaj? Çfarë zgjidhjesh konkrete ofrohen? Kush do të vijë në krye, dhe me çfarë programi?
Duhet guxim për ta thënë hapur: klasa politike shqiptare, si mazhoranca ashtu edhe opozita, përplaset prej vitesh në Kuvend, shpesh me qëndrime dhe metoda arrogante. Por këta përfaqësues i kanë zgjedhur vetë qytetarët. Të besosh se një përmbysje e dhunshme do të nxjerrë brenda pak ditësh drejtues të përsosur, të aftë të transformojnë gjendjen ekonomike e sociale të vendit, është iluzion.
Problemet strukturore nuk zgjidhen për njëzet e katër orë, e aq më pak me gurë.
E çka mund të thuhet tjetër për forcat e rendit ? Si në çdo ndërhyrje të këtij lloji, gabimi më i vogël individual filmohet menjëherë, shpërndahet me shpejtësi dhe paraqitet si provë e një dhune të përgjithshme policore. Këto gjykime të nxituara e shpërfillin kontekstin: punonjës përballë turmave agresive, të sulmuar me sende të rrezikshme, ndonjëherë të tejkaluar në numër, të detyruar të vendosin në çast.
Policët nuk janë shkaktarët e kësaj krize. Nuk janë ata që kanë krijuar papunësinë, pagat e ulëta apo largimin masiv të të rinjve. Detyra e tyre është të mbrojnë njerëzit dhe pronën, përfshirë edhe ato të protestuesve. Sigurisht, çdo abuzim i provuar duhet hetuar me transparencë, sepse edhe kjo është pjesë e shtetit të së drejtës. Por t’i ngarkosh gjithë policisë fajin për një situatë që ajo vetë e pëson, është thellësisht e padrejtë.
Shqipëria ka nevojë për ndryshime të vërteta: kushte më të mira pune, perspektivë për të rinjtë, institucione që funksionojnë. Këto ndryshime do të vijnë përmes debatit, kutisë së votimit, presionit qytetar paqësor dhe propozimeve konkrete. Jo përmes shkatërrimit.
Sepse në fund të dhunës nuk ka zgjidhje. Ka vetëm një vend më të përçarë, më të brishtë, dhe edhe më shumë të rinj që mendojnë të largohen.