Bashkim Aliu
Tradita e pasur tashmë mund të thuhet edhe shekullore e organizimit të mësim-besimit në mësonjëtore-mektebe të xhamive në vendlindje, u bart edhe në Perëndim në përgjithësi atje ku u transferuan shqiptarët muslimanë nga trojet etnike, dhe në Zvicër në veçanti. Hapja e një qendre islame në Zvicër, në fakt ka nënkuptuar edhe hapjen e mësonjëtores-mektebit për mësim-besim të fëmijëve, po edhe të rriturve, qoftë në faltore, apo në hapësira të veçanta të destinuara për mësim-besimin. Gati nuk ka qendër islame të themeluar prej shqiptarëve në Zvicër, ku nuk ka mësonjëtore (mekteb) dhe ku nuk organizohet mësim-besimi për grupmoshat e reja, po edhe për të rriturit.
Mektebi (mësonjëtorja) në qendrat islame të themeluara prej shqiptarëve në Zvicër, nuk ka vetëm funksion të mësim-besimit, por ai është një adresë serioze edhe e kultivimit të gjuhës shqipe, si dhe kultivimit të kulturës dhe traditave shqiptare. Këtë do ta mbështesim me aktivitete konkrete të qendrave islame të themeluara prej shqiptarëve në Zvicër, duke i theksuar prej tyre si shembull:
1.GJUHA E MËSIM-BESIMIT
Mësim-besimi për grupmoshat e reja, si dhe për të rriturit në mësonjëtoret-mektebet e qendrave islame të themeluara prej shqiptarëve në Perëndim në përgjithësi dhe në Zvicër në veçanti, organizohet në gjuhën shqipe. Kjo do të thotë se ndjekësit e mësim-besimit i mësojnë parimet bazë të fesë, mënyrën e faljes dhe aspekte tjera që lidhen me mësim-besimin, në gjuhën shqipe. Bile, edhe rregullat e leximit të Kur’anit, si dhe alfabetin e gjuhës arabe, i mësojnë me shpjegime në gjuhën shqipe. Deri më tash mësimi është zhvilluar plotësisht në gjuhën shqipe, por në kohën e fundit si rezultat i gjeneratave të reja të cilat janë lindur dhe shkollohen në Perëndim, dhe normalisht hasin probleme gjuhësore, mësim-besimi në pjesën më të madhe të xhamive të mërgatës shqiptare në Zvicër zhvillohet në dy gjuhë: në shqip dhe në gjermanisht, respektivisht frëngjisht. Sidoqoftë, gjuha shqipe vazhdon të jetë prezentë fuqishë në mësonjëtoret-mektebet e qendrave islame të themeluara prej shqiptarëve, dhe vijuesit e mësim-besimit, krahas dijeve fetare, mësojnë dhe kultivojnë edhe gjuhën shqipe.
2.AKTIVITETE ME NXËNËSIT E MËSIM-BESIMIT NË MEKTEBE
Krahas realizimit të plan-programit të mësim-besimit të paraparë për modulet përkatëse, në mësonjëtoret-mektebet e qendrave islame të themeluara prej shqiptarëve organizohen edhe aktivitete të tjera për raste të veçanta që paraqesin një segment të rëndësishëm edukativ arsimor fetar dhe kulturor, por në të njëjtën kohë edhe për identitetin kombëtar dhe gjuhësor shqiptar. Me këtë rast do të përmendi dy lloje të aktiviteteve të këtilla:
-Aktivitete me rastin e festave kombëtare si: 28 Nëntori, 17 Shkurti dhe Dita e Alfabetit. Me këtë rast, ndjekësve të mësim-besimit në mekteb u jepen detyra që kanë të bëjnë me kultivimin e dijeve për historinë dhe gjuhën shqipe, si: ngjyrosja e flamurit kombëtar dhe flamurit të Republikës së Kosovës, ngjyrosja e hartës së Shqipërisë, Kosovës si dhe viseve ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, identifikimi i fotografive të figurave të rëndësishme të historisë, kulturës dhe gjuhës shqipe, si: Ismail Qemali, Adem Jashari, Naim Frashëri, etj., pastaj mësimi i qyteteve kryesore ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, etj. Po ashtu, u jepen të mësojnë vjersha në gjuhën shqipe dhe t’i recitojnë me rastin e festave kombëtare, mësimi i alfabetit të gjuhës shqipe dhe prezantimi i tij përmendsh me rastin e ditës së alfabetit, etj.
-Organizimi i kuizeve të diturisë: Një segment i rëndësishëm i aktiviteteve në mektebe janë edhe kuizet të cilat organizohen në periudha të ndryshme gjatë vitit, në veçanti gjatë muajit Ramazan. Roli i këtyre kuizeve për afirmimin e gjuhës shqipe dhe historinë e kulturën shqiptare në mërgim, qëndron në atë se këto kuize organizohen në gjuhën shqipe, ashtu që pyetjet dhe përgjigjet jepen në gjuhën shqipe. Po ashtu, materialet e përgatitur për kuize, nuk përmbajnë vetëm pyetje për njohuri fetare, por pjesë e rëndësishme janë edhe pyetjet për historinë, gjeografinë, kulturën dhe traditat e trojeve shqiptare.
Në lidhje me aktivitetet e këtilla, do të sjellim sa për ilustrim prononcime të disa imamëve se si zhvillohet e gjithë kjo në xhamitë e tyre.
Kështu, Ferid ef. Zeqiri, imam në Xhaminë e Regensdorfit në kantonin e Cyrihut, shprehet: “Me rastin e festave kombëtare, ne kemi aktivitete të veçanta me nxënësit e mësim-besimit në mekteb dhe me xhematin. Këto janë aktivitete të rregullta për këto festa. Me rastin e festës së flamurit, nxënësit në mekteb e ngjyrosin flamurin, recitojnë poezi në gjuhën shqipe, shohim bashkërisht dokumentare me karakter historik, organizojmë kuize për gjeografinë dhe historinë e trojeve shqiptare etj. ”
Nehat ef Ismaili, imam në “Xhaminë e bardhë” në Aarburg në kantonin Aargau, shprehet: “Aktivitetet e veçanta me nxënësit e mektebit me rastin e festave kombëtare janë të zakonshme në xhaminë tonë. Nxënësve u jepen detyra ta ngjyrosin flamurin kombëtar dhe flamurin e Republikës së Kosovës, e ngjyrosin hartën e Shqipërisë, Kosovës si dhe viseve ku jetojnë shqiptarët, i identifikojnë fotografitë e figurave të rëndësishme të historisë, kulturës dhe gjuhë shqipe, u jepen detyra t’i mësojnë qytetet kryesore ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, etj. Po ashtu, u jepen detyra të mësojnë vjersha në gjuhën shqipe dhe t’i recitojnë me rastin e festave kombëtare, etj.”
3.ORGANIZIMI I VIZITAVE TË NDËRSJELLA TË NXËNËSVE TË MEKTEBEVE
Me qëllim të afrimit dhe njohjes mes gjeneratave të reja të komunitetit musliman shqiptar në Zvicër, në mësonjëtoret-mektebet e qendrave islame të themeluara prej shqiptarëve organizojnë vizita të ndërsjella, me ç’rast nxënësit e mektebeve vizitojnë xhami, njihen me nxënës shqiptarë të qyteteve tjera, me xhamitë shqiptare, me organizimin e jetës fetare dhe këmbejnë përvoja dhe ide. Shpjegimet për nxënësit bëhen në gjuhën shqipe, si dhe komunikimi mes nxënësve të mektebeve të xhamive të ndryshme bëhet në gjuhën shqipe. E gjithë kjo ndihmon në forcimin e lidhjeve të komunitetit musliman shqiptar në Zvicër, njohjen e të rinjve dhe të rejave tona, pasurimin e tyre me njohuri për shtrirjen dhe pozitën e komunitetit musliman shqiptar në Zvicër, si dhe forcimin e aftësive komunikuese në gjuhën shqipe.
Në lidhje me këtë aktivitet të mektebeve të xhamive, Rijad ef. Aliu, imam në xhaminë “Dituria” në Gjenevë, shprehet: “Ne i dërgojmë për vizitë nxënësit që e ndjekin mësim-besimin në mektebin e xhamisë sonë, në xhamitë e tjera të themeluara prej shqiptarëve gjithë andej në Zvicër. Këto janë pjesë e programit vjetor të punës me nxënës në mekteb. Mund të përmend sa për ilustrim disa xhami që kemi vizituar, si: xhamia e shqiptarëve në Lozanë, Aarburg, Wil, Glarus, etj.” Po ashtu, Halil ef. Ademi, ish imam në xhaminë “Tulipan” në qytetin Rainah (Reinach) të kantonit të Aargaus, shprehet: “Vizita me nxënësit e mektebit dhe me xhematlinj të xhamisë në përgjithësi, nëpër xhamitë shqiptare në Zvicër, janë aktivitet i ynë i rregullt. Ne kemi vizituar shumë xhami shqiptare, sa që në periudhën prej 2017 deri 2020 kemi vizituar 30 xhami, pasi ka qenë koha kur i kemi intensifikuar vizitat edhe për të përfituar nga përvojat e xhamive tjera në lidhje me ndërtimin e xhamisë, pasi ne ishim në fillim të ndërtimit të xhamisë së re. Këto vizita i bëjmë që të përfitojmë nga përvojat e xhamive të tjera, por edhe që nxënësit dhe xhemati të njihen mes veti”.
-vazhdon-