Hava Kurti Krasniqi ngre dilema për Presidenten Osmani përse reagimi erdhi vetëm tani

Syri

Në rrjetet sociale po qarkullojnë ditëve të fundit reagime të shumta lidhur me zhvillimet politike në Kosovë, përfshirë edhe një qëndrim të publikuar nga veprimtarja Hava Kurti Krasniqi. Ajo ka adresuar disa pyetje dhe vërejtje në drejtim të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe ka komentuar dinamikat politike në vend.

Në reagimin e saj, Kurti Krasniqi ngre dilema rreth kohës së reagimit të Presidentes Osmani pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vučić dhe emisarin evropian Miroslav Lajčák. Sipas saj, do të kishte qenë e rëndësishme që reagimi të vinte menjëherë, nëse ekzistonin shqetësime për përmbajtjen apo transparencën e takimit.

Ajo thekson se qytetarët presin komunikim të qartë dhe të shpejtë nga institucionet më të larta të vendit, sidomos në çështje që lidhen me dialogun Kosovë–Serbi. Në këtë kontekst, Kurti Krasniqi shtron pyetjen nëse vonesa në reagim mund të interpretohet si mungesë koherence institucionale.

Në vijim, ajo rikujton se Presidentja Osmani ka përfaqësuar vendin me sukses në shumë takime ndërkombëtare, por nënvizon se edhe ajo, edhe kryeministri Kurti, duhet t’i drejtohen qytetarëve me thirrje për qetësi, unitet dhe garë politike pozitive.

Një tjetër çështje që ajo ngre lidhet me shpërndarjen e Kuvendit, vendim që sipas saj është marrë me ngut dhe më pas është kundërshtuar nga Gjykata Kushtetuese. Kurti Krasniqi vlerëson se institucionet duhet të shmangin veprimet e nxituara, pasi ato mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe t’u shërbejnë palëve që nuk i duan të mirën vendit.

Reagimi i saj mbyllet me thirrjen që klasa politike të tregojë maturi dhe të fokusohet në interesin e përgjithshëm të qytetarëve.

Teksti i plotë i Hava Kurti Krasniqit

Pyetje për Vjosa Osmani

Përse, kur ka ndodhur takimi i Albin Kurti me Aleksandar Vučić dhe Miroslav Lajčák, nuk ke reaguar menjëherë, ta pyesësh Albin Kurti, apo publikisht? Përse nuk ke reaguar me kohë, por vetëm tani?

A do të thotë kjo se, kur je rehat në kolltukun e Presidentes, nuk të pengon asgjë?

Si me ta besua mandatin tjetër, kur po del transparente vetëm në rast të humbjes së postit?!

Edhe pse ne e njohim Albin Kurti: cep më cep, qosh më qosh, rreth më rreth.

Por po habitem: përse atëherë, kur ka ndodhur ky takim, nuk je shprehur publikisht, nëse paske pasur dyshime?

Na ke bërë krenarë në shumë takime në nivel ndërkombëtar. Do të ishte mirë që edhe ti, edhe Albin Kurti, t’i bëni popullatës thirrje së bashku: t’i lëmë të gjitha fjalët dhe, vëllazërisht, të garojmë në frymë pozitive.

Ti e shpërndave Parlamentin me ngutje, ndërsa Kushtetuesja ta kundërshtoi vendimin; si presidente nuk duhej të bëje këtë gabim.

T’i lëmë ngutjet, se i kënaqëm armiqtë.

Hava Kurti Krasniqi