TRAGJEDI NË ZVICËR – MES GJASHTË VIKTIMAVE EDHE MODERATORJA 26‑VJEÇARE

Syri

Policia konfirmon se ngjarja në Kerzers ishte një akt i qëllimshëm. Viktima e njohur e medias zvicerane, Lara Baumgartner, humbi jetën në zjarrin që përfshiu autobusin e linjës.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Zvicrën mbrëmjen e së martës, kur një autobus i linjës në Kerzers, në kantonin Fribourg, u përfshi nga flakët pasi një burrë dyshohet se është vetëdjegur me benzinë brenda mjetit. Policia zvicerane ka konfirmuar se bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm, ndërsa hetimet për motivin vazhdojnë.

Nga zjarri humbën jetën gjashtë persona, ndërsa disa të tjerë u plagosën, mes tyre edhe një punonjës i shërbimeve emergjente.

Mes viktimave edhe moderatorja e njohur Lara Baumgartner

Ndër personat që nuk arritën të mbijetonin është edhe Lara Baumgartner (26), moderatore e Radio Energy Bern. Lajmi është konfirmuar nga vetë Radio Energy, e cila ka njoftuar stafin dhe publikun për humbjen e saj të rëndë.

Në njoftimin e medias zvicerane thuhet se ekipi është “i tronditur dhe thellësisht i pikëlluar”, ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve të saj. Baumgartner përshkruhet si një person plot energji, e apasionuar pas psikologjisë, emocioneve të forta dhe komunikimit me njerëzit.

Hetimet vazhdojnë

Autoritetet zvicerane kanë deklaruar se autori i dyshuar i ngjarjes është mes viktimave. Nuk ka ende informacion mbi motivin e tij, por policia ka theksuar se nuk ka shenja që ngjarja të ketë lidhje me motive ideologjike apo terroriste.

Dëshmitarë në vendngjarje kanë raportuar se burri është përgjuar me benzinë dhe është vetëdjegur brenda autobusit, duke shkaktuar shpërthimin e flakëve që u përhapën me shpejtësi.

Hetimet pritet të zgjasin, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e plotë të viktimave dhe sqarimin e rrethanave të sakta të tragjedisë.