Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër ka njoftuar besimtarët se, me perëndimin e diellit të mërkurën, më 18 shkurt 2026, fillon muaji i bekuar i Ramazanit, ndërsa dita e parë e agjërimit është e enjtja, 19 shkurt 2026.

Në urimin zyrtar, kryetari i KMSHZ-së, Hfz. Mehas Alija, thekson se Ramazani është një nga shtyllat themelore të Islamit dhe një obligim për çdo besimtar të rritur, të shëndoshë dhe me arsye. Agjërimi, i cili zgjat nga agimi deri në perëndim të diellit, nuk është vetëm përmbajtje nga ushqimi dhe pija, por edhe disiplinë shpirtërore, morale dhe etike.
Muaji i Ramazanit përshkruhet si një periudhë reflektimi, lutjeje, leximi të Kur’anit dhe forcimi të lidhjes me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Ai nxit durimin, përulësinë, mirënjohjen dhe solidaritetin me ata që janë në nevojë.
Në urim theksohet se, në kohë sfidash globale, mesazhi i Ramazanit mbetet mesazh paqeje, mirëkuptimi dhe bashkëjetese. Komuniteti fton besimtarët që, përmes sjelljes së tyre, të dëshmojnë vlerat e larta të fesë: respektin, tolerancën dhe punën për të mirën e përbashkët.
Në fund, KMSHZ uron që ky muaj i shenjtë të sjellë paqe në zemra, harmoni në familje dhe begati në shoqëri:
“Për hajr dhe me plot bekime muaji i bekuar i Ramazanit!”
— Hfz. Mehas Alija
Kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër