Shkruan Dr. Shaqir Shala
Si mërgimtar, që e përjeton zhvillimin e vendit nga distanca, por me përgjegjësi të pandërprerë qytetare, heqjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian e shoh si një moment me peshë politike dhe simbolike, i cili kërkon lexim të matur dhe jo instrumental.
Ky vendim nuk përbën as legjitimim të plotë të veprimeve të deritanishme, as mbyllje të kapitujve problematikë.
Ai duhet kuptuar si një sinjal pragmatik i Bashkimit Evropian për normalizim të dialogut dhe për rikthim të fokusit tek proceset demokratike dhe institucionale.
Në këtë kuptim, heqja e sanksioneve është më tepër një mundësi sesa një përfundim. Nga kjo perspektivë, përgjegjësia politike mbetet e shpërndarë në të gjithë spektrin politik.
Veçanërisht, partitë opozitare janë të thirrura të reflektojnë mbi rolin e tyre dhe mbi mënyrën se si kanë artikuluar kundërshtimin e deritashëm politik.
Demokracia funksionale kërkon opozitë parimore, koherente dhe programore, e cila e sfidon pushtetin përmes ideve dhe alternativave, jo përmes bllokadave apo pritjes së ndërhyrjes së faktorëve të jashtëm.
Një opozitë e përgjegjshme nuk mund të ndërtojë legjitimitet duke shpresuar në sanksione ndaj shtetit të vet, e as duke e zëvendësuar politikën e brendshme me ankesa të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare.
Kjo qasje e partive opozitare jo vetëm që dështoi, por e ekspozoi mungesën e vizionit, programit dhe përgjegjësisë politike te partive opozitare.
Heqja e sanksioneve e ndryshon kontekstin politik dhe, rrjedhimisht, edhe mënyrën se si qytetarët e vlerësojnë ofertën politike.
Votuesit, përfshirë veçanërisht mërgatën, priren në situata të tilla drejt një qasjeje më racionale dhe më pak emocionale, duke i dhënë përparësi stabilitetit, besueshmërisë dhe vizionit afatgjatë. Në këtë ambient, mungesa e koherencës dhe e qartësisë programore pritet të ketë kosto politike.
Nga këndvështrimi i mërgimtarëve, të cilët kontribuojnë realisht në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, pritshmëria është e qartë: ky moment duhet shfrytëzuar për maturi institucional dhe për ndërtim të besimit qytetar. Politika duhet të largohet nga logjika e krizës së vazhdueshme dhe të orientohet drejt zgjidhjeve të qëndrueshme. Heqja e sanksioneve e demaskon qartë këtë strategji të partive opozitare: ajo tregon se politika nuk mund të bëhet mbi logjikën e bllokimit dhe as mbi dëshirën për dënim kolektiv të shoqërisë.
Nëse opozita synon të mbetet relevante, ajo duhet të rishikojë rrënjësisht qasjen e saj dhe të rikthehet tek parimet themelore të demokracisë parlamentare: debat, alternativë dhe llogaridhënie.
Por duhet kujdes se heqja e sanksioneve nuk duhet parë si fund i presionit ndërkombëtar, por si fillim i një faze më të pjekur të llogaridhënies politike dhe shoqërore te partive politike veçanërisht atyre opozitare.
Vetëm përmes veprimit të përgjegjshëm dhe vizionit afatgjatë, kjo mundësi mund të shndërrohet në progres të vërtetë për qytetarët dhe për të ardhmen evropiane të vendit.
Nëse opozita ka ndërtuar deri më tani një pjesë të madhe të diskursit të saj mbi idenë e izolimit ndërkombëtar. Tani heqja e sanksioneve e vendos atë përballë një problemi besueshmërie.
Prandaj kujdes se votuesit, sidomos ne mërgimtarët, jemi të ndjeshëm ndaj mospërputhjes mes retorikës dhe realitetit politik prandaj, është mundësia e madhe të dënoheni me votë.