KAUZË QË NUK NJEHË DORËZIM!

SYRI TV

Dy dekada. Dy dekada sakrifice, përballje, besimi dhe angazhimi të pandalshëm për Luginën e Preshevës.

Ka pasur momente të vështira. Ka pasur zhgënjime, pengesa, sulme personale, shpifje e përbuzje nga ata që kauzën tonë e quanin “orvatje koti”. Ka pasur njerëz që na tallnin kur trokisnim derë më derë në Washington, kur flisnim për diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Luginë, kur kërkonim që Amerika ta dëgjonte zërin tonë.

Por ne nuk u dorëzuam.

Sepse besuam. Besuam se vetëm duke e ngritur kauzën tonë në zemrën e botës demokratike — në Washington DC — Lugina do të mund të merrte vëmendjen që meriton.

Që nga viti 2003, ky rrugëtim nisi me takimet e para në Gjilan bashkë me Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Mandej vazhdoi me dhjetëra takime në Kongresin Amerikan, në Departamentin e Shtetit, në OKB në New York — me republikanë e demokratë, pa dallim partie, por me një qëllim: që Lugina të mos mbetej e harruar.

Ndërtuam përkrahje dypartiake për kauzën shqiptare. Organizuam brifinge në Senat. Siguruam letra mbështetëse nga kongresistë e senatorë amerikanë. Dhe nuk u ndalëm.

Pastaj erdhi Dallasi.

Aty ku patriotë të jashtëzakonshëm të komunitetit tonë — si Gino Mulliqi, Ismet Smajli, Bruno Ceka, Nick Mehmeti, Ramiz Tafilaj, Joe Haliti e shumë të tjerë — bashkë me Albanians for America dhe Doc Vranici, ndihmuan që të ndërtohej ura me Kongresistin Keith Self.

Dhe sot, ai është bërë një nga zërat më të fuqishëm të shqiptarëve të Luginës në Capitol Hill.

Ai e ngriti çështjen tonë në dëgjime kongresionale. Propozoi draft-ligj për Luginën në Kongres. Dhe sot, bashkë me kolegun e tij demokrat, udhëheqin një delegacion zyrtar kongresional në vetë Luginën e Preshevës — për të parë me sytë e tyre diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve.

Le ta kuptojmë peshën historike të kësaj.

Sot, është e pamundur të mos kujtohet maji historik i vitit 1990, kur Joe DioGuardi dhe Tom Lantos hynë në Kosovë për t’i treguar botës të vërtetën mbi shtypjen e shqiptarëve nga regjimi serb. Ajo vizitë u bë kthesë historike për ndërkombëtarizimin e kauzës së Kosovës. Sot, pas më shumë se tri dekadash, historia duket sikur po flet sërish shqip — sepse Amerika po dëgjon përsëri zërin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike.

Në një kohë kur bota po përballet me zhvillime të mëdha gjeopolitike, një delegacion i lartë i Kongresit Amerikan, i udhëhequr nga Kryetari i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme, i kushton vizitë zyrtare Luginës së Preshevës.

Kjo nuk është simbolikë e zakonshme.

Kjo është dëshmi se sakrifica nuk humbet. Se këmbëngulja shpërblehet. Se kur një kauzë është e drejtë, ajo gjen rrugën deri në qendrat më të mëdha të vendimmarrjes botërore.

Po, disa ende qeshin. Disa përpiqen ta minimizojnë. Disa mbeten skeptikë.

Le të mbeten.

Historia nuk shkruhet nga ata që përqeshin nga anash. Historia shkruhet nga ata që nuk dorëzohen kurrë.

Dhe ne nuk u dorëzuam.

Mirënjohje e përjetshme për të gjithë ata që ecën këtë rrugë me ne — partnerët tanë në Luginë: Shaip Kamberi, Ragmi Mustafa, Ardita Sinani, Nagip Arifi, Ragmi Mustafi — të cilët, përkundër dallimeve politike, e vunë kauzën kombëtare mbi gjithçka tjetër.

Misioni vazhdon!

Lugina nuk është thjesht një çështje politike. Lugina është amanet kombëtar.

Dhe për sa kohë të kemi frymë, zëri i saj nuk do të shuhet.