Në një valë të re diplomacie, shtete si Franca, Britania, Kanadaja, Australia, Portugalia, Luksemburgu dhe të tjera kanë shpallur njohjen zyrtare të Palestinës si shtet sovran. Por përtej titujve të bujshëm, pyetja që ngrihet është thelbësore:
Cilën Palestinë po njohin? Me çfarë kufij? Me çfarë realiteti në terren?
Kufijtë e vitit 1967 – një hartë e njohur, por jo e lirë
Shumica e shteteve që e njohin Palestinën e bëjnë këtë mbi bazën e kufijve të vitit 1967 – të njohur si “Green Line” – që përfshijnë Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës. Këto janë territoret që Izraeli pushtoi pas Luftës Gjashtëditore, dhe që sipas të drejtës ndërkombëtare konsiderohen të okupuar.
Por në praktikë, këto territore janë të fragmentuara, të kontrolluara pjesërisht nga Izraeli, dhe të ndara mes dy entiteteve palestineze: Autoriteti Palestinez në Bregun Perëndimor dhe Hamasi në Gaza.
Njohje pa sovranitet
Njohja e Palestinës nuk përkthehet në kontroll real mbi territorin. Gaza mbetet nën bllokadë të rreptë, Jerusalemi Lindor është aneksuar nga Izraeli, dhe Bregu Perëndimor është i ndarë në zona A, B dhe C, ku kontrolli palestinez është i kufizuar dhe shpesh i kushtëzuar.
Statusi në OKB dhe pengesa amerikane
Palestina ka statusin e “shtet vëzhgues jo-anëtar” në OKB që nga viti 2012. Për t’u bërë shtet anëtar i plotë, kërkohet miratimi nga Këshilli i Sigurimit – ku SHBA ka përdorur veton për ta bllokuar këtë proces.
A është kjo njohje një hap drejt paqes – apo një mashtrim i heshtur?
Në një kohë kur Gaza është nën bombardime, kur fëmijët vdesin nga uria, kur spitalet shkatërrohen dhe kur bota hesht, lind pyetja:
A mos është kjo valë njohjesh thjesht një manovër diplomatike për të larguar vëmendjen nga një katastrofë njerëzore?
A mos është një mënyrë për të thënë “po bëjmë diçka”, ndërkohë që në terren po ndodh një gjenocid i heshtur?
Njohja pa ndërhyrje, pa ndalim të dhunës, pa garantim të jetës, është si një flamur pa tokë. Dhe nëse bota po njeh Palestinën, por nuk po shpëton palestinezët, atëherë kjo njohje është më shumë për sy e faqe sesa për drejtësi.
Një zë që nuk mund të injorohet
Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, deklaroi:
“Një gjenocid po ndodh në Gaza. Dhjetëra mijëra fëmijë palestinezë janë varrosur nën rrënoja. Ligji ndërkombëtar po varroset bashkë me ta.”
Ky është një nga zërat e shumtë që po paralajmërojnë se njohja pa veprim është bashkëfajësi. Dhe historia nuk do të harrojë.