Kongresmenët amerikanë vizitojnë Preshevën, Sinani: Moment historik për Luginën

SYRI TV

Presheva ka mirëpritur delegacionin e Kongresit Amerikan në kuadër të vizitës së tyre në Ballkan, ku pjesë e agjendës janë edhe Kosova dhe Serbia.

Dy kongresistët amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, pritet të zhvillojnë takime në Preshevë me përfaqësues institucionalë dhe politikë të shqiptarëve të Luginës.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi këtë vizitë si “një moment historik për Luginën e Preshevës”.

Ajo theksoi se para delegacionit amerikan do të shtrojë çështjet kryesore me të cilat përballen shqiptarët në jug të Serbisë, përfshirë përfaqësimin institucional, pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave të Kosovës, papunësinë dhe shpërnguljen e të rinjve.

Sipas saj, në takim do të diskutohet edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, si dhe për shqetësimet lidhur me rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi. Vizita e kongresmenëve amerikanë po konsiderohet si një sinjal i rëndësishëm i vëmendjes ndërkombëtare ndaj pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.