Së bashku në shërbim të gjuhës shqipe!

SYRI TV

Ky turne ka një moto: Një ditë sportive për të gjithë! – Së bashku në shërbim të gjuhës shqipe!

Sa herë që takohen bashkëveprimtarët, jo vetëm që nuk mungojnë idetë, por ato marrin “udhë” me qëllim që të realizohen gjëra të mira në shërbim të komunitetit shqiptar në Zvicër. Ide, të cilat marrin hov sa çel e mbyll sytë. Një gjë tillë ndodhi në mes të kryetarit të Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër z. Feti Demolli, bashkëkryetarit të L.A.P.Sh.”Naim Frashëri” në Zvicër z. Vaxhid Sejdiut si dhe drejtorit të Televizionit në gjuhën shqipe në Zvicër “Syri TV” të z. Musli Saitit, të cilët bashkërisht analizuan nevojën e madhe për të përkrahur përpjekjet, në përhapjen e “dritës së diturisë” në gjuhën shqipe apo siç i themi ne shkurt në Zvicër, shkollat shqipe, pikat shkollore, në të cilat zhvillohet mësimi i organizuar në gjuhën amtare.

Këto përpjekje kanë marrë hov në 4-5 vitet e fundit falë punës dhe përkushtimit të disa veprimtarëve të arsimit nën drejtimin  e prof. Vaxhid Sejdiut, të cilët në vazhdimësi kanë qenë shembulli më i mirë i punës dhe i përkushtimit në hapjen e pikave shkollore, në rritjen e numrit të nxënësve si dhe gjetjen e formave të punës për një bashkëpunim të frytshëm në mes shoqatave, grupeve apo edhe individëve të cilët janë të gatshëm bashkërisht të veprojnë me qëllim që shkollat shqipe të kenë sa më shumë nxënës.

Këtij rrugëtimi, i cili gjatë javëve në vazhdim  do të grumbulloj nxënës të shkollave shqipe të cilët vijojnë mësimet në gjuhën amtare së bashku me prindërit e tyre të organizuar në ekipe futbolli të shkollës, do të përfaqësojnë pikat e tyre shkollore dhe natyrisht e gjithë kjo do të jetë një ditë festive për familjet shqiptare, të cilat janë dëshmi e përpjekjeve ndër vite në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare në Zvicër.

Organizimit më 22 shtator 2024, të UKSHFZ – UNIONI I KLUBEVE SHQIPTARE TË FUTBOLLIT NË ZVICËR dhe L.A.P.SH “Naim Frashëri” Zvicër do t`i bashkëngjitet edhe  Departamenti i Diasporës së Republikës së Kosovës.

Në Turneun e Madh të Futbollit “ZVICËR 2024”, i cili do të zhvillohet me 22 Shtator 2024 në adresën: Sportplaz Altfeldweg 10, 5702 Niederlenz duke filluar në ora 08.30, marrin pjesë edhe yjet e futbollit shqiptar dhe shumë sportistë me renome ndërkombëtare, të cilët bashkë në fund të garës, do t`i shpërndajnë medaljet nxënësve të shkollave shqipe në Zvicër.

Vlen të përmendet se në garë mund të marrin pjesë vetëm nxënësit e shkollave shqipe në Zvicër, ku interesimi i fëmijëve dhe prindërve shqiptarë për një pjesëmarrje sa më masive është e madhe.

Përveç futbollit fëmijët mund të garojnë edhe në disiplina popullore si: vrapimi me thes, tërheqja e litarit etj. Për organizimin, medaljet, mirënjohjet, organizimin e ndeshjeve do të kujdeset Unioni i Klubeve Shqiptare në Zvicër.

Ky turne ka një moto: Një ditë sportive për të gjithë! – Së bashku në shërbim të gjuhës shqipe!