Fanella e nënshkruar e sulmuesit të Kosovës ndezi garën mes afaristëve dhe u bë kryefjala e mbrëmjes së organizuar nga FC Kosova Gjenevë.

GJENEVË – FC Kosova Gjenevë organizoi të shtunën mbrëma një mbrëmje falënderuese për sponsorët, afaristët dhe mbështetësit shumëvjeçarë të klubit.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë e diplomatikë, drejtues të UKSHFZ-së, personalitete të sportit dhe biznesit, si dhe figura të njohura të komunitetit shqiptar në kantonin e Gjenevës.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i FC Kosova Gjenevë, Fisnik Buçi, falënderoi sponsorët dhe partnerët për mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar kontributin e tyre në funksionimin dhe zhvillimin e klubit.
Një falënderim i veçantë iu kushtua presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe kryetarit të UKSHFZ-së, Feti Demolli. Falë angazhimit të tyre u sigurua fanella e nënshkruar e Vedat Muriqit, e cila u soll në Gjenevë për t’u nxjerrë në ankand në mbështetje të klubit.
Fanella e sulmuesit të Kombëtares së Kosovës u bë objekti më i kërkuar dhe më i vlefshëm i mbrëmjes.

Kulmi i mbrëmjes ishte ankandi i fanellës së Vedat Muriqit. Oferta fillestare prej 1000 mijë frangash u pasua nga një garë e fortë mes afaristëve të pranishëm.

Pas ofertave të shumta, fanella u shit për shumën rekord prej 3500 CHF. Ofertën fituese e dha afaristi Besniki Benz nga Gjeneva, ndërsa momenti i dorëzimit të fanellës u shoqërua me duartrokitje të shumta nga të pranishmit.

Të ardhurat nga ankandi do të shkojnë në mbështetje të buxhetit dhe veprimtarisë së FC Kosova Gjenevë.
Pas pjesës zyrtare, festa vazhdoi me muzikë shqiptare dhe interpretimin e vëllezërve Aliu, ndërsa të pranishmit shijuan një mbrëmje të veçantë në frymë familjare.

Mbrëmja dëshmoi edhe një herë fuqinë e bashkëpunimit ndërmjet sportit, biznesit dhe komunitetit shqiptar në Zvicër, ndërsa FC Kosova Gjenevë konfirmoi rolin e saj si një nga klubet shqiptare më aktive në diasporë.

