Anëtarët e ekuipazhit të “Shenzhou-16” kryen ecjen e parë në hapësirë të enjten, duke instaluar dhe rregulluar pajisjet e kamerës jashtë stacionit hapësinor “Tiangong”, bëri të ditur Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës.
Komandanti i misionit, gjeneralmajor Jing Haipeng, dhe inxhinieri i fluturimeve hapësinore, kolonel Zhu Yangzhu, e përfunduan ecjen e tyre në hapësirë në tetë orë dhe u kthyen në modulin shkencor “Wentian” në 9:40 p.m., bëri të ditur kjo agjenci në një njoftim për shtypin.
Kjo ishte ecja e 13-të në hapësirë e kryer nga astronautët kinezë.
Profesori Gui Haichao, anëtari i tretë i ekuipazhit dhe specialist i ngarkesës shkencore të misionit, qëndroi brenda stacionit hapësinor për të dhënë mbështetje, u bë e ditur në këtë njoftim.
Gjatë ecjes së tyre në hapësirë, Jing dhe Zhu përmbushën një sërë detyrash, si ngritja e një kornize mbështetëse për një kamerë panoramike jashtë modulit qendror “Tianhe” dhe shkyçja e lëvizja e dy kamerave panoramike jashtë modulit shkencor “Mengtian”.
Ekuipazhi i “Shenzhou-16” arriti në stacionin hapësinor “Tiangong” më 30 maj, duke marrë detyrën nga kolegët e tyre të “Shenzhou-15”, të cilët kishin qëndruar në stacionin hapësinor për gjashtë muaj.
Udhëtimi i tyre shënon fluturimin e parë të brezit të tretë të astronautëve kinezë, pasi Zhu dhe Gui i përkasin pikërisht këtij brezi. Kjo është po ashtu hera e parë që një civil kinez udhëton në hapësirë, pasi Gui është astronaut e jo ushtarak.
Deri të enjten, Jing dhe ekipi i tij kanë punuar për 52 ditë dhe janë në gjendje të mirë. Ata do të jetojnë brenda stacionit hapësinor për rreth pesë muaj dhe është planifikuar të kthehen në Tokë në nëntor.