Marrëveshja u hap rrugë bizneseve kosovare drejt tregjeve të Zvicrës, Liechtensteinit, Norvegjisë dhe Islandës, duke fuqizuar eksportet dhe investimet.
BERN / PRISHTINË – Sot shënohet një ditë e një rëndësie të veçantë për ekonominë e Republikës së Kosovës. Ka hyrë zyrtarisht në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve anëtare të EFTA-s (Zvicra, Liechtensteini, Norvegjia dhe Islanda).
Përmes një mesazhi drejtuar bashkatdhetarëve dhe opinionit publik, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi, e ka cilësuar këtë zhvillim si një moment kthese për partneritetin ekonomik.
«Sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën. Më vjen shumë mirë që nga sot marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe EFTA-s hyn në fuqi. Kjo marrëveshje hap mundësi të reja për tregti, investime dhe bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s,» është shprehur ambasadori Latifi.
Sipas tij, kjo marrëveshje u krijon hapësirë të drejtpërdrejtë ndërmarrjeve kosovare për të depërtuar në tregjet evropiane, për të rritur vëllimin e eksporteve si dhe për të lidhur partneritete të reja strategjike.
«Për Kosovën, kjo është një hap i rëndësishëm drejt integrimit më të madh ekonomik evropian. Urime Kosovës, Zvicrës dhe të gjitha shteteve të EFTA-s për këtë hap të rëndësishëm. Tani është koha që këtë marrëveshje ta shndërrojmë në mundësi konkrete për bizneset, investimet dhe qytetarët tanë,» përfundoi deklaratën e tij Ambasadori Latifi.
Kjo marrëveshje pritet të jetë një impuls i fuqishëm edhe për diasporën shqiptare në Zvicër e më gjerë, e cila luan një rol kyç si urë lidhëse për investimet dhe bashkëpunimin afatgjatë ekonomik mes Kosovës dhe Evropës.