Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ka shprehur hapur mbështetjen për protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”, të cilat prej javësh po zhvillohen në Shqipëri kundër një projekti gjigant ndërtimor në Sazan dhe Zvërnec.
Në podcastin e saj Service95 Book Club, Lipa bisedoi me studiuesen shqiptare Lea Ypi dhe vlerësoi angazhimin e qytetarëve që po mbrojnë natyrën nga ndërhyrjet e investitorëve të huaj. Ajo u shpreh se demonstratat janë “frymëzuese” dhe se të rinjtë shqiptarë po tregojnë një shembull të fortë qytetar.

Dua Lipa, e lindur në Londër me prindër shqiptarë nga Kosova, ka theksuar shpesh lidhjen e saj të ngushtë me kulturën shqiptare dhe ndjek me vëmendje zhvillimet në rajon.
Protestat kanë nisur pas planit për ndërtimin e një resorti luksoz dhe mijëra vilave në zona të mbrojtura ekologjike, projekt i mbështetur nga investitorë të udhëhequr nga Jared Kushner. Ambientalistet paralajmërojnë se këto ndërtime rrezikojnë ekosisteme të rralla dhe habitatet e flamingove.
Dua Lipa ngriti shqetësimin kryesor që ka ndezur debatin publik:
- “Çfarë më shqetëson vërtet është parimi që një qeveri mund të ndryshojë ligjin dhe të heqë mbrojtjen e mjedisit — pa asnjë diskutim publik.”
Deklarata e saj është pritur pozitivisht nga organizatat mjedisore, të cilat thonë se mbështetja e një figure globale si Dua Lipa ka motivuar veçanërisht të rinjtë që të mos heqin dorë nga mbrojtja e natyrës.