Pas deklarimeve të publikuara mbrëmë në emisionin “Rubikon”, të moderuar nga Adriatik Kelmendi, ku u përmend emri dhe u shfaq fotografia e prindit tim, Shaban Shalës – Hero i Kombit, e ndiej për obligim të reagoj publikisht.
Në emision u paraqit një pretendim tejet i rëndë, sipas të cilit Shaban Shala qenka përjashtuar nga LDK-ja me arsyetimin se ishte “bashkëpunëtor i Serbisë”, duke e ndërlidhur këtë çështje edhe me Bejadin Allaqin.
Për një figurë të tillë dhe për një familje që ka bartur peshën e veprimtarisë kombëtare ndër vite, pretendime të tilla nuk mund të trajtohen si një deklaratë e zakonshme mediatike.
Emri i Shaban Shalës nuk mund të përdoret pa përgjegjësi.
Shaban Shala është Hero i Kombit. Për jetën dhe veprimtarinë e tij flasin dokumentet, burgjet politike, veprimtaria kombëtare dhe historia e tij. Prandaj, nëse bëhen pretendime që prekin drejtpërdrejt figurën dhe integritetin e tij, publiku ka të drejtë të dijë mbi cilat dokumente dhe burime janë mbështetur ato.
Prandaj, publikisht i kërkojmë z. Vehbi Kajtazi dhe Klan Kosovës:
Të bëjnë publike burimet dhe dokumentet mbi të cilat janë bazuar këto pretendime.
Liria e medias është vlerë e patjetërsueshme e një shoqërie demokratike. Por liria e medias shoqërohet edhe me përgjegjësi profesionale, etike dhe ligjore.
Ne nuk kërkojmë privilegje për emrin e Shaban Shalës.
Kërkojmë vetëm që për të të flitet me fakte dhe dokumente.
Kjo çështje do të ndiqet edhe në rrugë ligjore dhe do ta kërkojmë sqarimin e saj deri në instancën e fundit juridike.
Për Shaban Shalën flasin dokumentet, burgjet, veprimtaria dhe historia e tij.
E vërteta nuk ka nevojë për propagandë.
E vërteta kërkon vetëm të dëshmohet me fakte.
Xheladin Shaban Shala.