FUNKSIONI I IMAMIT NË KOHËN E GLOBALIZMIT

Admin

     Globalizmi është një temë komplekse, pasi si proces, shtrihet në disa fusha dhe ka ndikim në disa segmente, me çka gjeneron rrjedha dhe ndërveprime të nivelit global, që prekin çdo shoqëri, si dhe segment të veprimtarisë njerëzore. Apo, siç shprehet për globalizimin Matiç: “Globalizimi është një proces objektiv dhe kontradiktor i ndryshimeve të mëdha dhe të shpejta botërore i cili çon në riformulimin e ekzistueses në rend të ri botëror të reproduktimit, gjegjësisht çon në krijimin e shoqërisë botërore” (Matiç, 2004: 84).

Ky është edhe një nga definicionet për globalizmin. Këtu, nuk mbetet pa u prekur edhe veprimtaria e veprimtarëve dhe institucioneve fetare, ashtu që imponohet diskutimi për funksionin e imamit, si veprimtar dhe institucion i rëndësishëm, në kohën e globalizmit.

         Funksioni i imamit dhe xhamisë në kohën e globalizmit, nuk duhet kuptuar thjeshtë vetëm në kontekst të përmbushjes së kërkesave të masës së caktuar, të cilës imami i shërben de jure, me kontratën e punës në xhami, edhe pse kjo është parimore dhe e rëndësishme, pa dyshim, si dhe as vetëm në korniza të zyrtares së tij si imam, në kohën e punës dhe brenda objektit të xhamisë, por ky funksion shtrihet shumë më gjërë duke përfshi edhe shumë masa, forma, nevoja dhe fusha tjera të aktivitetit, që në fakt na transferon në stadin e të qenit të detyrës së imamit mision, e jo thjesht profesion. Kjo, nisur nga fakti se edhe veprimtaria e masës të cilës i drejtohet imami, nuk nënkupton vetëm fushën e ritualeve praktike, dhe interesimi i tyre nuk lidhet vetëm për këtë fushë, por edhe për shumë fusha dhe segmente tjera të cilat janë të domosdoshme për kohën dhe proceset shoqërore, si: çështjet ekonomike, financiare, biznesi, administrata, trashëgimia, jeta bashkëshortore, të arriturat shkencore, inxhinjeringu gjenetik, politika, marrëdhëniet ndërkombëtare, kultura, ekologjia, të drejtat e njeriut, përfshi këtu edhe të drejtat të cilat në fushën e të drejtës ndërkombëtare njihen si gjenerata e tretë e të drejtave të njeriut etj.

         Kjo qasje ndaj funksionit të imamit dhe xhamisë në kohën e globalizmit, nuk duhet zbritur në nivelin e përgjigjes së domosdoshme ndaj sfidave të jashtme, të cilat, pa dashje i janë imponuar profilit të imamit dhe institucionit të xhamisë, dhe të kërkohet zgjidhje në adaptimin e kontrolluar ndaj situatës së krijuar. Kjo do të mund të detektohet si qasje e antiglobalizmit dhe tradicionalizmit të fortë, që promotorët e tij nuk mund të dyshohet se kalojnë faza të transformimeve të domosdoshme të amëzës së tyre ideologjike dhe metodologjike në emër të kreativitetit brenda teksteve sipas mënyrës së tyre të kuptimit dhe interpretimit. Ngelja në proviniencën e adoptimit për t’iu përgjigjur, e jo bashkëveprimit konstruktiv, efektiv dhe inovativ, nuk do ta ngren, por do ta ul, kurbën e kërkesave të kohës dhe ambientit për punën, të drejtat dhe hapësirën e imamit.

         Kuptimi i drejtë i formësimit dhe transformimit të funksionit të imamit dhe xhamisë, na ngre në nivelin e këndvështrimit gjithpërfshirës global, duke u nisur nga aktualiteti i proceseve integruese në rrjedhat globale, si nga brezat e rinj, po ashtu edhe nga institucionet e ndryshme shoqërore, duke mos anashkaluar në asnjë mënyrë ato religjioze, në këtë rast islame, që të mund të manevrohet në skenën  globale me vlerat universale që i përmban Islami.

         Globalizmi, është krejt e qartë, pati impakt në zhvillime të dukshme brenda bashkësisë muslimane, jo vetëm në plan të brendshëm lokal, por edhe në atë global. Koha e cila shënohet si e globalizmit, inicoi zhvillime thelbësore në istitucionet relevante islame akademike dhe fetare, si në universitete dhe në ministritë e çështjeve fetare apo institucionet për fetva (çështje islame), si dhe në shoqëritë të cilat për një kohë janë etiketuar si tradicionale. Kështu, në listën e aktiviteteve të institucioneve islame has agjenda të dendura të komunikimit me palët e tjera, studime komparative nga fusha e së drejtës pozitive dhe e së drejtës islame, psikologjisë, sociologjisë, ekonomisë, etj., asaj që u quajt si “islamizim i dijes dhe shkencave”  të drejtave të njeriut, shpjegimit shkencor të ajeteve Kur’anore, shpjegimit të traditës profetike në kontekst bashkëkohor duke shpaluar aspekte të rëndësishme të saj me të drejtën ndërkombëtare, paqen, dialogun ndërkulturor, të drejtat e njeriut, mbrojtjen e natyrës etj.

         Nga ana tjetër, në shoqëritë që janë identifikuar si tradicionale dhe më të mbyllura, u hapën për debate që aspak nuk janë të natyrës tradicionale, ku në fokus i vunë të drejtat e njeriut, me theks të veçantë të drejtat e grave, debatin për arsyeshmërinë e disa ndalesave të cilat edhe ashtu në disa vende nuk janë parë si të tilla nga estabilishmenti fetar, prezenca e femrës në jetën politike, në art, kulturë, media, liria e shprehjes, mendimi kritik, gabimet që janë bërë në të kaluarën në emër të fesë, ridefinimi i bidatit-risisë në fe, ekstremizmi, integrimi, etj. E gjithë kjo, e suportuar nga instrumentat “magjik” të globalizimit si: mediumet masive, rrjetet sociale, komunikimi elektronik, etj. Për rrjedhojë, individi, familja dhe shoqëria, u gjetën para “stuhisë” së ndryshimeve që solli procesi i globalizmit edhe në shoqëritë tradicionale, duke i ngjyrosur ata jo vetëm me ngjyrën e tradicionales, por edhe të prirjes për t’u integruar në rrejdhat globale dhe për t’u akomoduar, si ata vetë, ashtu edhe ambienti ku jetojnë, me ndryshimet e shkaktuara nga procesi i globalizimit. Kjo nuk është vështirë të dallohet edhe në ambientet e tilla tradicionale, ku një lokal për qethje quhet Xhems Dean, Pikaso, etj., por edhe brenda familjes, ku flitet çdo ditë e më tepër hapur për blogerët, artin, realiti show, IT, botën virtuale, gjigantët si: Amazon, Google, Apple etj. Në këtë kontekst, akomodimi me ndryshimet e procesit të globalizimit në njërën anë, dhe mostejkalimi i parimeve bazë të fesë në anën tjetër, që do të mund të komentohej si rrëshqitje nga parimet drejt përshtatjes me modernen, më qartë reflektohet në ligjërimin fetar të kohës.

[1] Anëtar i kryesisë qëndrore të Federatës së Organizatave Islame në Zvicër, dhe këshilltar fetaro-shkencor i kryesisë së Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër.

[2] Matiç, Petar, Politiçka modernizacija u eri globalizacije, Srpska politiçka misao, Beograd, 2004, f.84.

[3] Pionieri i kësaj platforme në shekullin XX, Ismail Faruki, në lidhje me këtë, thotë:”Kjo pra është një detyrë e rëndësishme, e cila u takon intelektualëve dhe udhëheqësve muslimanë që, nga pikëqëndrimi i Islamit, t’i jepet një formë e re tërë trashëgimisë së diturisë njerëzore. Vizioni i Islamit nuk mund të jetë vizion i vërtetë, po qe se nuk i përfaqëson përmbajtjet e veçanta, respektivisht: jetën, realitetin dhe botën. Brendësia është objekt studimi i disciplinave të veçanta. Dhënia e formës së re diturisë në kallëpin e Islamit, është e lidhur ngusht me vizionin e Islamit. Është e domosdoshme të islamizohet dituria, respektivisht të ridefinohen dhe të rirenditen të dhënat, të rimendohet rezonimi dhe të ndërlidhen të dhënat; të rivlerësohen konkluzionet, të riprojektohen qëllimet dhe e tërë kjo të bëhet në aso mënyrë që do t’i bënte disiplinat ta pasurojnë vizionin dhe t’i shërbejnë kauzës së Islamit” (Faruki, Ismail R., Islamizimi i diturisë: Parimet e përgjithshme dhe plani i punës, përktheu: Urim Poshka, botim privat, Shkup, 1992, f.35).

[4] Faruki, op. cit., f.31-35.

[5] Shpjegimi shkencor i ajeteve të Kur’anit ka ngjallur polemika mes dijetarëve islam. Në këtë kontekst, do ta shënoj më poshtë në pika të shkurtëra fetvanë e dijetarit të shquar Jusuf el-Karadavi për çështjen në fjalë. Jusuf el-Karadavi, duke u përgjigjur në një pyetje se a lejohet komenti shkencor i ajeteve të Kur’anit, në mes tjerash, shënon:” Në vitet e pesëdhjeta të shekullit njëzet, u zhvillua një betejë polemikash dhe debat në faqet e gazetave egjiptase në mes dy grupeve të dijetarëve rreth kësaj çështje. Mendoj se kjo polemikë vazhdon edhe në ditët e sotme, gjegjësisht vazhdon të ketë të atillë që e mbështesin këtë lloj interpretimi dhe të atillë që e kundërshtojnë.

Qëndrimi të cilin e përzgjedhim

     Vërejmë se në këtë çështje, sikur edhe në pjesën më të madhe të çështjeve diskutabile shkencore, kemi tre pozicionime:dy skaje dhe mesin.

Në njërin skaj i hasim ata të cilët e refuzojnë në çdo mënyrë futjen e shkencave në fushën e interpretimit të Kur’anit, duke dashur me këtë që ta largojnë Kur’anin nga mundësia e ndryshimit, si rezultat i ndrrimit të rezultateve të këtyre shkencave.

Në skajin tjetër, i hasim ata të cilët e teprojnë me përdorimin e këtyre shkencave dhe e mundojnë veten duke u munduar ta paraqesin Kur’anin si libër që i përfshinë të gjitha këto shkenca, dhe se u ka parapri atyre në teoritë dhe të vërtetat. Ata orvaten ta theksojnë atë që e quajnë “mrekulli shkencore” me paramendime të shumta.

Por, ka një pozicionim mesatar, të drejtë, ndërmjet të dy palëve, pozicionim që nuk e tepron duke mohuar çdo gjë, por nuk i tejkalon kufijtë duke konfirmuar çdo gjë të kësaj natyre. Ky qëndrim mesatar, rrumbullaksohet në disa  rregulla dhe kushte… Këtë pikë do ta përfundoj duke i përmendur disa fjalë objektive të autorit të njohur prof.Mustafa Akad, të cilat fjalë i ka thënë kur ka folur për njeriun në librin e tij Hakaiku-l-Islam ve ebatilu husumihi(Të vërtetat e Islamit dhe të pavërtetat e kundërshtarëve të tij)… Prof. Akadi ka thënë:”Ne nuk duam që ta implikojmë Kur’anin në shpjegimin e drejtimeve shkencore dhe teorive të ndryshme, ngase, sa herë që paraqitet një drejtim, i nënshtrohet debatit dhe përmirësimeve, apo sa herë që paraqitet një teori, disa njerëz e pranojnë e disa e refuzojnë. Sado që të jenë të vërtetuara teoritë shkencore, ai vërtetim vlen për një kohë, pas një kohe, fillojnë të paraqiten rreth tij dyshime, bëhen përmirësime dhe korigjime. Në kohën më të afërt, patëm rastin të shohim disa njerëz të cilët i komentojnë shtatë qiejt me shtatë planetet në sistemin diellor. Më pas, u vërtetua se ka më tepër se dhjetë yje, ndërkaq yjet e vegjël-satelitët, janë të shumtë, nuk mund të numërohen. Për atë, nuk është e drejtë që ta implikojmë fenë në shpjegimin e mendimeve dhe thënieve të cilat nuk janë bazike në shkencat përkatëse, dhe nuk është në rregull që mbi to të ndërtohen baza. Fesë i mjafton ajo që nuk e pengon personin që të gjurmojë në shkencë dhe ta pranojë mendimin i cili vjen si rezultat i zbulimeve dhe analizave. Në bazë të këtyre rregullave, muslimani kthehet në ajetet e Kur’anit dhe thëniet profetike, dhe në to nuk sheh pengesë që e ndalon nga studimi dhe gjurmimi në fushat e ndryshme shkencore….” (Kardavi, Jusuf, Fetva bashkëkohore, përktheu nga arabishtja: Bashkim Aliu, Furkan ISM, Shkup, 2015, vëll.III, f.21, 30-31).  Për  TV SYRI – Bashkim Aliu