Safet Sadiku: Sot mbahet seanca e fundit në Kuvendin e Kosovës!

SYRI TV
Sot pritet të mbahet seanca e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e Kryetarit të tij, një proces që në vend se të reflektojë vullnetin dhe vetëdijen demokratike të përfaqësuesve të popullit, është kthyer në një arenë të bllokimeve, pazareve politike dhe varësisë së skajshme nga faktorët e jashtëm. Ajo që ende bie më shumë në sy është mungesa e pavarësisë së deputetëve për të votuar sipas ndërgjegjes së tyre dhe në interes të qytetarëve që i kanë zgjedhur. Votat vazhdojnë të diktohen nga kryetarët e partive dhe interesat e ngushta grupore, duke dëshmuar një dështim të rëndë të figurës së politikanit shqiptar në Kosovë, si përfaqësues i vullnetit popullor. Kjo varësi e verbër ndaj liderëve partiakë, shpesh të lidhur me interesa të errëta ekonomike apo rrjete të pushtetit klientelist, është jo vetëm një tregues i papjekurisë politike, por edhe një formë e keq-qeverisjes që i ngjan sjelljes së pushtuesve, më shumë sesa asaj të përfaqësuesve të një shteti demokratik.
Nëse Kuvendi sot konstituohet, ky nuk do të jetë as nuk do të quhet sukses i vetëdijes politike të brendshme, por rezultat i presionit të ambasadorëve dhe faktorit ndërkombëtar, që për fat të keq, vazhdon të luajë rolin e tutorit politik për klasën politike vendore. Kjo ndërhyrje, sado e nevojshme të jetë në momente krizash, e demaskon paaftësinë e vetë politikanëve tanë në Kosovë, (se ata nuk janë të aftë as kombëtarisht) për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të bashkëjetuar brenda rregullave të një sistemi demokratik.
Në këtë kontekst, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi politikanët, por edhe mbi qytetarët që vazhdojnë të votojë figurat e njëjta, pa reflektim dhe pa kërkesa të qarta për ndryshim. Është koha që vetëdija qytetare të ndryshojë rrënjësisht, që vota të mos jetë më një akt emocional apo tribal, por një përgjegjësi e thellë ndaj shtetit, ndaj atyre që dhanë jetën për liri, dhe ndaj brezave që vijnë.
Nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, ndoshta për herë të parë, një bojkot i organizuar dhe i arsyetuar, nga qytetarët votues, (në ditën kur do që të caktohen zgjedhjet) do të ishte një mesazh i fuqishëm ndaj të gjitha partive politike: se Kosova nuk është as Serbi dhe as pronë private e liderëve, por një republikë me qytetarë që nuk pranojnë më të trajtohen si numra të verbër votash. Në këtë periudhë të sabotimit shtetëror nga ata që na përfaqësojnë Kosova përveç mbështetjes financiare ka humbur edhe reputacion ndërkombëtar, që nuk kthehet brenda ditës!…
Kjo situatë, sa e dhimbshme aq edhe tronditëse, duhet të shërbejë si moment reflektimi për të gjithë; për ata që udhëheqin dhe për ata që votojnë. Përndryshe, ky teatër i shëmtuar politik do të vazhdojë pafund, ndërsa Republika e Kosovës do të zvarritet gjithnjë në vendnumëro, e zhgënjyer nga ata që duhej të ishin mbrojtësit e saj më të mëdhenj. Edhe nëse shkohet në zgjedhje askush nuk e ka të sigurtë se do t’i fiton shumicën, dhe skena e tillë e sabotimit mund sërish të përsëritet!… ( Safet Sadiku)