Moral Pozhegu, historia e suksesit në gazetarinë sportive në Kosovë

SYRI TV

Sporti kosovar është përballur me vështirësi të mëdha në vitet e para të pasluftës.

Në një izolim të thellë, sportistët kishin nevojë për përkrahje që të ngritej zëri i tyre.

Dhe, e vetmja mundësi për ta që ta shfaqnin pakënaqësinë dhe zhgënjimin për diskriminimin që po u bëhej ishte që një gjë të tillë ta bënin përmes mediave.

Moral Pozhegu është njëri prej gazetarëve më aktivë dhe më me përvojë në sportin e pasluftës.

Prej më shumë se 22 vjetësh, gazetari gjakovar e ushtron profesionin e gazetarit sportiv, duke përcjellë breza e breza sportistësh, por duke e provuar edhe kohën e izolimit të sportit kosovar e deri tek pranimi në instancat më të larta ndërkombëtare, për të vazhduar më pas me sukseset e sportistëve dhe të klubeve që kanë nisur të marrin hov.

Por, si nisi gjithçka zotëri Pozhegu? Ai na tregon në pika të shkurtra.

“Fillimisht, faleminderit për interesimin, televizioni Syri. Unë kam pasur gjithmonë respekt dhe dashuri për diasporën. Pa ju, sporti kosovar nuk do të mundë të zhvillohej dhe të përparonte, pra do të ishte i mangët. Prandaj, faleminderit për gjithçka që keni bërë për sportin në Kosovë, me ndihmën dhe mbështetjen e pashoqe në të gjitha aspektet”, thotë në fillim të bisedës Pozhegu.

“Sa i përket karrierës, unë e kisha babin, Mensurin, gazetar, redaktor dhe lektor, por edhe vëllain, Realin, gazetar sportiv. Prandaj, është disi si me gjene kjo punë dhe nuk kisha si të veproja ndryshe, më pëlqente puna që e bënin ata. Nisa gjithçka në vitin 2002 në Radio Gjakova derisa isha në vitin e katërt të shkollës së mesme. E kishim një emision sportiv me një shok klase. Më pas, në vitin 2003 u kyça si korrespodent prej Gjakovës i gazetës së famshme sportive në atë kohë, Kosova Sport. Tutje, u riktheva në Prishtinë pas shtatë vjetësh qëndrimi në Gjakovë, për ta vazhduar karrierën në kryeqytet. Në vitet në vijim punona shkurt në Kohën Ditore, për të vazhduar më pas në ‘Gazetën Express’, në portalin ‘Lajmi.net’, në gazetën ‘Sporti’, në gazetën “Zëri” dhe prej aty u riktheva në vitin 2019 prapë në ‘Express’, ndërsa jam i angazhuar kohë pas kohe edhe në televizionin ‘T7’, pasi jemi një shtëpi. Ia kalojmë për mrekulli me kolegët, Valonin, Aganin, Endritin, Albinin dhe Arbërinë. Gjithashtu, kohë pas kohe kam punuar edhe në disa projekte që lidhen me gazetarinë”, e tregon ky gazetar karrierën e tij në pika të shkurtra.

Pozhegut ndërkohë nuk i kanë munguar as sukseset në punën e tij.

Ai madje është gazetari më i suksesshëm në histori të gazetarisë sportive në Kosovë pasi ka fituar çmime dhe mirënjohje të shumta.

“Po, gjatë karrierës sime i kam bërë mijëra shkrime, një pjesë e mirë e tyre autoriale, dhe qindra kronika televizive. Ndërkohë, jam zgjedhur katër herë gazetari sportiv, respektivisht e kam fituar çmimin ‘Ali Shala’, por kam marrë çmim edhe nga AGK-ja (Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës), përmes disa hulumtimeve sportive që i kam bërë. Natyrisht, për këto çmime merita ka edhe shoku im dhe kolegu, Valon Konushevci, me të cilin punojmë së bashku që nga viti 2006”, vazhdon ai.

Pozhegu ka punuar në disa etapa duke e provuar kohën kur interneti ishte më pak i zhvilluar, por edhe gazetën e shtypur, e cila tash në Kosovë i përket së kaluarës.

Ai do të ishte personi adekuat për të na bërë një dallim mes gazetarisë së para 20 vjetëve me atë të sotmen.

“Është shumë interesante, një dallim i madh dhe i paimagjinueshëm për gjeneratat e reja sot. Në atë kohë interneti nuk ishte i avancuar si sot, hasnim në vështirësi për të gjetur lajme dhe informacione. Na ka ndodhur që ndeshjet t’i dëgjojmë në zyrë në radio pasi s’kishim as korrespodentë e as nuk transmetoheshin në tv. Për garat e kohëpaskohshme jashtë vendit na informonin përmes email-it drejtuesit e klubeve apo të sportistëve. Ishin kohëra shumë të vështira. E sot, me zhvillimin e teknologjisë, gjithçka është më e lehtë, lajmin mund ta ‘kapësh’ kudo dhe lehtë në internet, mbi të gjitha në rrjetet sociale. Në gazetë ishte më ndryshe, e ke pasur të kufizuar hapësirën për shkrim, ndërsa në portal sot shkruan pa limit nëse do. Sot është shumë më e lehtë, por fatkeqësisht niveli i gazetarisë ka rënë dukshëm pasi kualiteti i shkrimit nuk është si më parë, ka më pak profesionalizëm dhe më pak seriozitet në punë”, shprehet i shqetësuar Pozhegu.

Duke u kthyer prapa në kohë, gazetari sportiv zbulon se në vitet e para të pasluftës ishte marrë me futboll, por që e kishte mbyllur karrierën herët për t’ju përkushtuar profesionit që aq shumë e do.

“Po, futbollin e kam dashur shumë që nga fëmijëria, kur luanim me shokë, fillimisht në Prishtinë, në Bregun e Diellit, e më pas në Gjakovë ,në Bllokun e Ri. Ndërkohë, u bëra pjesë e ekipit të juniorëve të Vëllaznimit, me të cilin ishim shumë afër të shpalleshim kampionë të Kosovës në sezonin 2002/03. Më pas u riktheva në Prishtinë për të banuar dhe iu bashkova ekipit të të rinjve të Kosovës së Prishtinës, për ta mbyllur aty atë ‘copë’ karriere. E lash sepse nuk pash perspektivë, ishim të izoluar totalisht dhe nuk kisha ndonjë potencial të madh. Sidoqoftë, unë nuk u largova përfundimisht nga bota e futbollit dhe sportit pasi profesioni që e kam zgjedhur ma mundëson të jem pjesë e sportit pasi merrem çdo ditë me të, por tash nga kompjuteri…”, vijoi gazetari i njohur kosovar.

Sa i përket familjes, Moral Pozhegu i ka dy motra, Almën dhe Donjetën, dhe vëllain Reali, me prindërit Mensurin dhe Vahiden.

Ai është i martuar me Burbuqen dhe i gëzon dy fëmijë, Lunën dhe Lirin.

Besim Laci – Gazetar i TV Syri Zvicër