FC Kosova është fituese e Kupës së Diasporës 2025

Admin

Një ndeshje e madhe e futbollit, plot emocione tek lojtarët në fushë dhe bankat rezervë të dy ekipeve, për të fituar Kupën e Diasporës që është tejet e rëndësishme për të dy klubet.

FC Kosova nga Düsseldorfi ishte nikoqire e kësaj Kupe kundër FC Kosova nga Gjeneva e Zvicrës, të organizuar nga Federata e Futbollit Shqiptar në Gjermani dhe Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër, të cilët janë nën ombrellën e FFK-së dhe të mbështetur edhe nga MPJD.

FC Kosova Düsseldorf kaloi në epërsi në minutën e 17-të pas një kombinimi tepër të mirë. Më pas loja zhvillohej me pasime të shkurtra dhe FC Kosova Gjenevë disa herë kishte shansin për ta barazuar. Në pjesën e dytë, FC Kosova Gjenevë arriti të përmbysë rezultatin me dy gola të shënuar, duke e mbyllur ndeshjen me rezultat 1 : 2. Gjatë lojës, FC Kosova Gjenevë humbi edhe një penallti.

Kur FC Kosova përballon FC Kosovën, nuk është thjesht ndeshje—është pasqyrë e shpirtit të diasporës që flet me një emër, por luan me dy zemra.

Kupën e Diasporës ia dorëzoi Kryetari i FFK-së, z. Agim Ademi, kapitenit të ekipit FC Kosova Gjenevë.

Në fushë u ndanë edhe mirënjohje për klubet dhe organizatorët, si ajo e FFSHGJ-së nga z. Enver Muzliukaj dhe Kryetari i UKSHFZ-së, z. Feti Demoli.

Ndeshja është filmuar edhe nga TV SYRI në Zvicër, që së shpejti do të kemi mundësinë ta përcjellim: ndeshjen e plotë dhe intervistat me organizatorët, kryesitë e klubeve dhe lojtarët.

Duhet cekur se Finalja Kosovë–Diasporë në muajin nëntor zhvillohet mes FC Prishtina nga Kosova dhe FC Kosova Gjenevë.

Një njoftim për adhuruesit e klubeve të futbollit në diasporë, por edhe lexuesit në përgjithësi: FC Kosova nga Düsseldorfi ishte fituese e Kupës së Klubeve Shqiptare në Gjermani, dhe FC Kosova nga Gjeneva fituese e Kupës në Zvicër.

Në marrëveshje të përbashkët të dy federatave, u vendos që kjo finale e madhe të zhvillohet në Gjermani, dhe i dhanë epitetin e nikoqirit FC Kosova Düsseldorf.

Ekipi FC Kosova nga Gjeneva, bashkë me kryesinë e ngushtë të Unionit dhe Kryetarin Feti Demoli, të shtunën arritën në Düsseldorf dhe u mirëpritën nga FFSHGJ dhe i gjithë stafi i vëllezërve të FC Kosova nga Düsseldorf, të cilët shtruan darkë dhe akomodimin për të gjithë. UKSHFZ dhe FC Kosova Gjenevë i falënderojnë përzemërsisht për mikpritjen bujare dhe shqiptare.