Shqipëria e ka ndihmuar gjithmonë Kosovën kur kjo e fundit ka pasur nevojë.
E shteti mëmë i shqiptarëve i ka dalë në krahë edhe këtë radhë tokës dardane.
Në fakt, Kosova e ka shpallur kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
Por, siç dihet në Kosovë nuk ka kushte për zhvillimin e sporteve në det në “Prishtina 2030”.
Prandaj, Ministrja e Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi e ka ofruar mbështetjen e shtetit shqiptar për Kosovën, në një marrëveshje bashkëpunimi që e nënshkroi me homologun e saj nga Kosova, ministrin Hajrulla Çeku.
Siç njofton Ministria e Sportit e Kosovës, Shqipëria e ka ofruar bregdetin shqiptar për mbajtjen e sportit të lundrimit në Lojërat Mesdhetare.
Me investimet e Qeverisë së Kosovës do të bëhet e mundur krijimi i kushteve për organizimin e kësaj gare prestigjioze, ndërsa objektet sportive më pas do të mbeten si një aset i Kosovës.
Kjo njëherësh do të jetë gara më e rëndësishme që e organizon Kosova ndonjëherë.