Përpjekjet nuk kanë të ndalur. Gjatë gjithë vitit shkollor kemi bërë çmos që të hapim sa më shumë klasa dhe në orët mësimore të gjuhës e të kulturës kombëtare të përfshijmë sa më shumë fëmijë të mërgimtarëve shqiptarë, me të vetmin qëllim që ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare.
Mësuese Alma Mico me nxënësit e “Shkollës Shqipe” në Effretikon të kantonit të Cyrihut
E premtja e datës 12 maj 2023 solli buzëqeshje në fytyrat e vogëlushëve, të cilët të lumtur e të gëzuar u ulën në bankat e klasës së hapur nga “Shkolla Shqipe” në Zvicër, në qytetin Effretikon. Gëzimi shihej qartë jo vetëm në fytyrën e nxënësve, por edhe të mësueses Alma Mico, e cila mundohej në mënyra të ndryshme t`ua bëjë sa më të lehtë orën mësimore në këtë ditë fillimi të mësimit të gjuhës amtare.
Një gëzim dhe një kënaqësi e veçantë shihej edhe në fytyrat e prindërve, duke i parë fëmijët e tyre në klasë, duke shfletuar abetaren e gjuhës shqipe, duke i dëgjuar fëmijët e tyre kur ata shqiptonin shkronjat e gjuhës sonë, natyrshëm kur lexonin fjalët shqipe.
Nxënësit Floriani, Ronisi, Ronesa, Albini, Ismajli, Amirja, Lina, Amina, Dorela, Ensari, Anuri, Almiri, të cilët erdhën në orën e parë, e shikonin mësuesen me një gëzim të veçantë, sepse për ta kishte filluar një ditë e re, një ditë ku ata do të mësonin edhe gjuhën shqipe. Po kështu edhe nxënësit të tjerë, të cilët do t`iu bashkëngjiten këtyre nxënësve që filluan mësimin më 12 maj, do t’i presim krahëhapur.
Një angazhim në shërbim të arsimit shqip, në shërbim gjuhës dhe kulturës shqiptare, koordinatori i “Shkollës shqipe” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu, së bashku me mësuesen Alma Mico dhe nxënësit shqiptarë në Effretikon, të Kantonit të Zyrihut
Fare në fund duke iu dëshiruar nxënësve dhe mësueses suksese pafund, thërrasim me dashamirësinë më të madhe e njëkohësisht urojmë që të gjithë bashkatdhetarët, fëmijët e tyre t`i dërgojnë në klasat e “Shkollës Shqipe” në Zvicër.
“Shkolla Shqipe” – Zvicër