Orë Historie!
Të premten, më 17 Shkurt 2023, zhvilluam së bashku me nxënësit e Shkollës Shqipe në Volkteswil, të Kantonit të Zyrihut, dy orë mësimore kushtuar Kosovës, ditëlindjes së saj të pesëmbëdhjetë.
Dy orë mësimore ishin pak, për të përfshirë Kosovën, gjeografinë e historinë e kësaj pjese të Atdheut.
E filluam në pika të shkurtra nga ilirët e deri te luftëtarët e lirisë, që sollën këngën e fitores.
Orë mësimore që kaloi si një poezi që përthekoi data, ngjarje, përkujtime, lavdi, pamje, qytete, fshatra, male, fusha, krahina dhe u kurorëzuan me kryeqytetin, Prishtinën.
Kjo është Kosova jonë e dashur! – Dhe sa herë nxënësit dëgjonin emrat e fshatrave apo qyteteve të Kosovës hapnin sytë dhe thonin; atje e kam gjyshen apo gjyshin, atje kemi shtëpinë, do të shkojmë verës me mamin e babin dhe, sytë ju ndriçonin ashtu siç ndriçojnë sytë e lirisë.
Dr. Vaxhid Sejdiu ndër të tjera tha se nuk ka krahasim më të bukur për Lirinë e Kosovës se këta fëmijë, të cilët edhe pse të lindur larg atdheut në shpirt kanë gjuhën dhe kulturën kombëtare.