Ardian Krasniqi do të boksojë për titullin e kampionit evropian

SYRI TV

Dy ditë para spektaklit të madh të boksit “Showdown for Legacy IV”, organizatorët dhe boksierët mbajtën konferencën zyrtare për shtyp në Ludwigsburg, ku në qendër të vëmendjes ishte Ardian Krasniqi, ylli i padiskutueshëm i mbrëmjes dhe protagonisti i meçit kryesor.

Ardian Krasniqi do të zhvillojë meçin kryesor të mbrëmjes kundër kroatit të pamposhtur Vinko Zadro, për titullin evropian të WBA-së në kategorinë gjysmë të rëndë. Të dy boksierët kanë bilanc perfekt me nga 12 fitore dhe 12 nokautë, duke e bërë këtë një nga duelet më interesante të vitit në boksin evropian.

Gjatë konferencës, Krasniqi u shfaq i qetë dhe i sigurt në vetvete, duke e cilësuar këtë sfidë si hapin më të rëndësishëm të karrierës së tij deri më tani.

Krasniqi do të boksojë për titullin e kampionit të Evropës në kategorinë gjysmë të rëndë (WBA European Championship) dhe për të mbrojtur titullin e fituar vitin e kaluar, WBO Intercontinental Championship.

Për 29-vjeçarin nga Rottweil, nipin e legjendës së boksit Luan Krasniqi, mbrëmja e së shtunës mund të jetë momenti që e vendos përfundimisht në hartën e pretendentëve seriozë për majat e boksit botëror.

Organizatorët premtojnë një mbrëmje të mbushur me emocione, duele të forta dhe disa nga boksierët më të mirë profesionistë të momentit. Në program janë 13 meçe me 26 boksierë elitarë. Në mesin e emrave kryesorë janë Ardian Krasniqi, Bujar Tahiri, Viktor Cakiqi, Amarildo Bakaj, Maddy Mohrhardt, Arian Ejupi, Koray Öcal, Fidaim Brahimi dhe Fatlum Dreshaj.

“Showdown for Legacy IV” fillon nga ora 21:00.