Përfundojnë kërkimet për 5-vjeçarin, gjendet nga vullnetarët shqiptarë

Syri

Një lajm thellësisht i hidhur vjen nga Zvicra. Kërkimet intensive për gjetjen e 5-vjeçarit Tian Rahimi, i cili ra aksidentalisht në lumin Reuss, kanë përfunduar në mënyrë tragjike.

Informacioni është konfirmuar ekskluzivisht për SYRI TV drejtpërdrejt nga të rinjtë Valoni dhe Shpëtimi (nga nisma «Hap Pas Hapi»), të cilët i ishin bashkuar kërkimeve në terren. Sipas informacioneve të para, kanë qenë pikërisht disa nga vullnetarët e shumtë shqiptarë, të cilët iu përgjigjën masivisht apelit për ndihmë, ata që kanë gjetur trupin e pajetë të vogëlushit.

Gjetja e trupit shuan përfundimisht shpresat e familjes Rahimi-Hyda, por njëkohësisht nxjerr në pah zemrën e madhe dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm të bashkatdhetarëve tanë në diasporë, të cilët nuk e lanë familjen vetëm asnjë moment gjatë këtyre tri ditëve plot ankth.

Në këto momente jashtëzakonisht të vështira, redaksia e SYRI TV i shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella familjes së vogëlushit Tian, për këtë humbje të parakohshme që ka tronditur mbarë opinionin.

Zoti u dhëntë forcë për të përballuar këtë dhimbje të papërshkrueshme!