Shkruan: Nehat Hyseni
Prania historike e shqiptarëve në Vranjë Gjatë historisë së hershme, që nga mesjeta e hershme e deri në fund të shekullit XIX, Vranja ishte një qytet me popullsi të përzier etnike dhe fetare.
Në këtë strukturë demografike, shqiptarët myslimanë përbënin një shtresë të rëndësishme ekonomike dhe shoqërore, si banorë qytetarë (zanatçinj dhe tregtarë), por edhe si banorë të fshatrave përreth, të cilët merreshin kryesisht me bujqësi dhe blegtori. Burimet osmane, si dhe autorë serbë, ndër ta edhe Jovan Hadži-Vasiljević, përmendin qartë ekzistencën e mahallave myslimane shqiptare dhe të familjeve shqiptare të islamizuara, shumica e të cilave ishin autoktone dhe jo të ardhura.
Vranja në periudhën osmane Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, në Vranjë ekzistonin xhami, varreza myslimane shqiptare dhe një strukturë urbane tipike osmane, e përbërë nga hamame, mektepe dhe institucione të tjera fetare e arsimore.
Duhet theksuar në mënyrë të veçantë se shqiptarët në Vranjë ishin banorë vendas, autoktonë, dhe jo një pakicë e ardhur. Viti 1878: pika e kthesës historike Viti 1878 përfaqëson pikën më dramatike të kthesës historike në dëm të popullsisë shqiptare, në radhë të parë të shqiptarëve myslimanë, por edhe të një pakice të konsiderueshme turke në Vranjë me rrethinë.
Pas pushtimit serb, si pasojë e vendimeve të Kongresit të Berlinit, ndodhën masakrime me karakter gjenocidal dhe dëbimi masiv i shqiptarëve myslimanë nga Vranja dhe rrethina e saj.
Shqiptarët, përmes dhunës së egër dhe të organizuar nga shteti dhe nga pjesë të popullsisë serbe, u detyruan të shpërngulen me forcë drejt Preshevës, Bujanocit, Gjilanit, Kosovës qendrore dhe Maqedonisë së Veriut.
Këta të dëbuar njihen historikisht si muhaxhirët e Vranjës. Dëbimi, dhuna dhe asimilimi i dhunshëm Presionet e vazhdueshme, të planifikuara dhe të organizuara për dëbimin e shqiptarëve nga shtëpitë, pasuritë dhe pronat e tyre stërgjyshore, janë arsyeja kryesore pse sot Vranja nuk ka më komunitet shqiptar autokton.
Pas vitit 1878, në Vranjë me rrethinë mbizotëruan përdhunimet, dhuna sistematike, presionet ekstreme, asimilimi i dhunshëm dhe zhdukja pothuajse e plotë e popullsisë myslimane.
Një pjesë shumë e vogël e kësaj popullsie u konvertua me dhunë në ortodoksi, u sllavizua në emër dhe gjuhë dhe, në fund, u regjistrua si popullsi serbe.
Toponimia lokale dhe kujtesa familjare ruajnë ende gjurmë të qarta të pranisë shqiptare, por pa një identitet publik të njohur dhe të pranuar. Situata e shqiptarëve në Vranjë sot (shekulli XXI)
Sot, në Vranjë jetojnë vetëm disa dhjetëra persona që deklarohen shqiptarë në regjistrimet zyrtare. Sipas censusit të vitit 2011, në Vranjë jetonin vetëm 12 (dymbëdhjetë) shqiptarë, ndërsa sipas censusit të vitit 2022, vetëm 19 (nëntëmbëdhjetë) shqiptarë, më pak se 0.01% e popullsisë totale.
Këta janë kryesisht individë të ardhur nga Presheva dhe Bujanoci ose pjesëtarë të familjeve të përziera.
Në Vranjë me rrethinë, në shekullin XXI, praktikisht dhe realisht nuk ekziston më komunitet i organizuar shqiptar: nuk ka shkolla në gjuhën shqipe, nuk ka xhami shqiptare dhe nuk ekziston asnjë institucion kulturor apo arsimor shqiptar.
Një tragjedi e heshtur historike Kjo gjendje përbën një tragjedi të madhe njerëzore dhe një katastrofë të vërtetë humanitare, kombëtare dhe historike, e cila për dekada me radhë ka mbetur temë tabu dhe pothuajse sekret shtetëror.
Ky paradoks historik dhe kjo tragjedi njerëzore kanë mbetur të pashënuara dhe të pastudiuara seriozisht, jo vetëm nga historiografia serbe, por edhe nga ajo shqiptare. Vranja, e cila deri në vitin 1878 kishte një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh autoktonë, që dominonin jetën ekonomike dhe kulturore të qytetit, sot pothuajse nuk ka më asnjë shqiptar vendas.
Ndërkohë, Presheva dhe Bujanoci u mbushën me muhaxhirë të dëbuar nga Vranja dhe rrethina e saj.
Pasojat demografike dhe historike Kjo tragjedi e madhe njerëzore shkaktoi ndryshime rrënjësore demografike, ndërprerje të dhunshme të vazhdimësisë urbane shqiptare në Vranjë dhe zhvendosjen masive të shqiptarëve drejt Luginës së Preshevës.
Përfundim Shqiptarët në Vranjë kanë qenë popullsi autoktone dhe e rëndësishme deri në vitin 1878; pas pushtimit serb ata u dëbuan pothuajse tërësisht.
Sot, në Vranjë jetojnë vetëm 19 Shqiptarë, më pak se 0.01%, një numër simbolik dhe pa vazhdimësi historike lokale.
Preshevë, 18 janar 2026