Kur deputetët vjedhin njëri -tjetrin

SYRI TV
Nga: Gëzim Mekuli

Shifra që po i sjellë KQZ nuk janë thjesht numra. Janë pasqyra e një mentaliteti të kalbur që ne, shqiptarët, prej 30 vitesh e kemi normalizuar. Është fotografia më e sinqertë e mënyrës se si e shohim (pu)shtetin.

Kur një parti politike «humbë» mbi 8% të votave nga manipulimi i njerëzve të vet, ndërsa një tjetër parti më pak se 1%, kjo nuk është rastësi e as gabim teknik. Kjo është kulturë politike. Është ideja se (pu)shteti është pronë personale, jo përgjegjësi publike.

Një gjë duhet t’a kuptojmë; se ky maskarallëk nuk fillon në qendrat e numërimit.

Kjo ndyrësire fillon shumë më herët; Fillon te furrxhiu që të vjedh në gramë bukë. Te mishshitësi që ta rritë peshën në letër e ta zvogëlon në qese. Te pemëshitësi që ta mbush qesen me pemë e perime të kalbura poshtë e të bukura sipër. Fillon te pompa e benzinës që t’i vjedhë disa cent në çdo mbushje. Te kamerieri që të shton diçka në faturë duke shpresuar se nuk do ta vëresh. Diku me gramë, diku me kilogramë. Diku me 10 cent, 50 cent, 1 euro. Dhe diku, pa kufi.

Ky është i njëjti mentalitet. I njëjti qëllim. I njëjti kod kulturor. «Nëse mundem me ta ngulë, pse jo?» Sot në peshore, te furrxhiu e pemëtore; e normale se vazhdon në kuti votimi. Sot në treg, nesër në institucione. Dallimi është vetëm shkalla, jo parimi.

Prandaj mos u mashtroni: këtu nuk ka parti të mira dhe parti të këqija. Ka kryetar partie të mirë e të pa korruptuar; Por kemi një shoqëri që ende nuk e ka ndëshkuar veten për vetëmashtrim.

Të dashur lexues,

Ne vjedhim njëri-tjetrin. Ne pështyjmë njëri-tjetrin. Ne jemi thashmes  kundër njëri-tjetrit.

Vjedhja e vogël nuk është moral; është thjesht vjedhje më e vogël.

Kur standardi i vlerave bie, askush nuk del i pastër. Dhe kur dikush del më pak i përlloçur, kjo nuk është sepse është më i ndershëm, por sepse s’ka pas fuqi me vjedhë ma shumë.

Por pyetja më e rëndë nuk është se kush vodhi më shumë apo kush më pak. Pyetja është: çka po i mësojmë ne rinisë? Që zgjedhjet fitohen me punë apo me dallavere?

Një i ri dhe një e re që rritet duke u mashtruar në pazar, në shkollë, në punë dhe në zgjedhje, nuk e humbë besimin sall te partitë. Humb besimin te familja, te shkollimi, media e te shteti. Dhe kur rinia nuk beson më, ajo e merr dhen dhe ikë… Ose revoltohet. Në të dyja rastet, shoqëria shkon drejt zbrazjes: morale dhe fizike.

Këqyreni botën more. Në shtete ku një politikan kapet duke manipuluar zgjedhje, ai zhduket nga jeta publike. Një skandal mjafton për ta shkatërruar karrierën. Te ne, skandali është trampolinë. Sot është lajm, nesër harrohet, pasnesër nga mediat e tyre riciklohet si kandidat «me përvojë». Ky është dallimi mes një shoqërie që e respekton veten dhe një shoqërie që është pajtuar me poshtërimin.

Prandaj, mos u fshihni pas flamurit partiak. Mos e relativizoni me «edhe të tjerët e bëjnë». Mos e mbuloni me patriotizëm të rremë. Ju nuk keni fytyrë të dilni para popullit dhe të flisni për demokraci, moral dhe shtet, përderisa demokracinë e ndërtoni me dallavere, me rrena, thashetheme dhe me manipulim.

Konsekuent deri në fund: vota është e shenjtë. Manipulimi është krim. Dhe heshtja përballë krimit është bashkëfajësi. Nëse drejtësia nuk vepron, porosia është e qartë dhe shkatërruese: vjedh sot, arsyetohu nesër, qeveris prapë pasnesër.

Dhe ky marifet nuk i shkatërron vetëm zgjedhjet; e shkatërron vetë idenë e shtetit.

E këtë zezonë shqiptarët nuk e duan!