Koalicionet jo parimore dhe fenomeni i “çmendurisë së masës” në politikën Kosovare

SYRI TV

Shkruan: Shaqir Shala

Abstrakt!

Ky punim trajton fenomenin e koalicioneve jo parimore në politikën lokale të Kosovës, duke e analizuar jo vetëm në dimensionin politik e moral, por edhe në atë psikologjik dhe kulturor.

Duke u mbështetur në teoritë e Gustave Le Bon, Sigmund Freud, Nikola Rot dhe Erich Fromm mbi psikologjinë e masës, si dhe në reflektimet satirike të Fan Nolit, punimi argumenton se bashkëjetesa e kontradiktës, hipokrizisë dhe apatisë qytetare përbën një formë të “çmendurisë kolektive” të shoqërisë politike kosovare.

Raste si koalicioni PDK–LDK në Prizren, LDK–AAK në Pejë dhe marrëdhënia kontradiktore midis Përparim Ramës (LDK) dhe Uran Ismailit (PDK) në Prishtinë, dëshmojnë se koherenca politike është zëvendësuar nga pragmatizmi, ndërsa reflektimi racional është zëvendësuar nga emocionet dhe besnikëritë e turmës.

Punimi konkludon se tejkalimi i kësaj gjendjeje kërkon rikthimin e ndërgjegjes kritike qytetare, edukimin politik dhe ndërtimin e një etike të re të përgjegjësisë publike.

1. Hyrje Proceset zgjedhore lokale në Kosovë gjatë dekadës së fundit kanë reflektuar një krizë të thellë të moralit dhe koherencës politike. Partitë politike, në kërkim të pushtetit afatshkurtër, kanë ndërtuar aleanca te pa principe të cilat bien ndesh me qëndrimet e tyre programore dhe deklarative.

Këto zhvillime, megjithatë, nuk mund të shihen vetëm si pragmatizëm politik: ato përfaqësojnë një fenomen të gjerë psiko–shoqëror, ku masa elektorale reagon jo me arsyetim racional, por me ndjenja të përkatësisë, frikës ose shpresës.

Kjo gjendje përkon me atë që Le Bon e quan “çmenduri e turmës” – një humbje e individualitetit dhe mendimit kritik në nivel kolektiv.

2. Konteksti politik dhe shembujt empirik Në Prizren, koalicioni paszgjedhor midis PDK-së dhe LDK-së u krijua pavarësisht fushatës së ashpër, ku përfaqësuesi i LDK-së Driton Selmanaj akuzon kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj, për korrupsion dhe keqëmenagjim ne qeverisje dhe me këmbëngulje kërkon ndërrim te pushtetit në Prizren.

Në Pejë, ndodhi një bashkëpunim i ngjashëm mes LDK-së dhe AAK-së, duke e zëvendësuar konfliktin ideologjik me interesin për pushtet. Rasti më domethënës është ai i Prishtinës, ku gjatë fushatës zgjedhore u zhvilluan debate të ashpra midis kandidatëve per kryetar të Prishtinës Përparim Ramës (LDK) dhe Uran Ismailit (PDK).

Në fazën e balotazhit, megjithatë, ndodhi një ndryshim i menjëhershëm i qëndrimit dhe gjuhës publike, duke u kaluar nga akuzat reciproke në gjeste mirëkuptimi dhe bashkëpunimi simbolik. Kjo përmbysje e shpejtë e qëndrimeve politike është reflektim i mungesës së parimit dhe i fleksibilitetit moral, por gjithashtu tregon një pranim të heshtur nga masa votuese, e cila e sheh një gjë të tillë si të natyrshme.

3. Psikologjia e masës dhe fenomeni i “çmendurisë kolektive” Sipas Gustave Le Bon (1895), individi, kur bëhet pjesë e turmës, humbet vetëdijen morale dhe racionale, duke u udhëhequr nga emocionet e grupit.

Kjo teori përshtatet plotësisht me realitetin politik kosovar, ku qytetarët shpesh nuk reagojnë ndaj kontradiktave të liderëve, por i ndjekin përmes identifikimit emocional. Sigmund Freud thekson se në nëkëto raste në turmë ndodh një “transferim i dashurisë” ndaj figurave të autoritetit, ndërsa Erich Fromm e interpreton këtë si “ikje nga liria” – prirjen e individit për të shmangur përgjegjësinë e mendimit kritik. Sipas Nikola Rot, masa (turma) është një organizëm psikologjik ku individët humbin vetëdijen personale dhe arsyen kritike, duke u drejtuar nga emocionet, sugjerimet dhe impulset kolektive.

Në atë gjendje, njeriu vepron ndryshe nga sa do të vepronte si individ.

Në thelb, Rot pajtohet me Le Bon-in dhe Freud-in, por e thekson më shumë dimensionin social dhe manipulues: masat bëhen të çmendura jo pse duan, por sepse drejtohen nga elitat që i nxisin emocionalisht.

Pra, për Rotin:Turma nuk mendon, por reagon.

Në këtë kuptim, apatia qytetare dhe toleranca ndaj hipokrizisë nuk janë vetëm mungesë e edukimit politik, por fenomene psikologjike kolektive që burojnë nga frika e përjashtimit dhe nga nevoja për t’u identifikuar me grupin dominues.

4. Dimensioni kulturor: ironia noliane dhe ndryshimi i fytyrës politike Fenomeni i “faqenëndryshjes” politike është i thellë në kulturën politike shqiptare dhe është përshkruar mjeshtërisht nga Fan Noli në satirën e tij ndaj Faik Konicës: “Fyti floqit po pëllët, Topi i krosit po krisët, Që ç’qenkej ky sheqer kesmet, Hallvaxhin po e bëjnë mbret.

Feridi faqen ndërron, Dje shante, sot lavdëron, Rroftë o Napoleon!” Këto vargje janë jo vetëm ironike, por edhe psikologjikisht diagnostike: ato përshkruajnë mënyrën se si shoqëria shqiptare, e mbushur me emocione të luhatshme kolektive, pranon përmbysjet morale si spektakël politik.

Kjo normalizim i paradoksit është një formë e çmendurisë së butë kolektive – ku “dje shante, sot lavdëron” bëhet jo turp, por normë e komunikimit publik.

5. Kriza morale dhe pasojat psiko–shoqërore Ky model i politikës së interesit ka prodhuar një rreth të mbyllur të degradimit moral: elitat e pandershme legjitimizohen nga masa e apatisë, ndërsa masa e zhgënjyer justifikohet nga mungesa e alternativës.

Rezultati është një kulturë e stabilitetit të korruptuar, ku përmbysja e vlerave perceptohet si pragmatizëm dhe konformizmi shpërblehet si mençuri politike. Kjo sjell deindividualizimin e qytetarit, erodimin e debatit publik racional, dhe ngrirjen e transformimit demokratik.

6. Përfundimi Fenomeni i koalicioneve jo parimore në Kosovë është një pasqyrë e krizës së thellë të moralit publik dhe e “çmendurisë së masës” në kuptimin lebonian.

Ndryshimi i qëndrimeve politike, si në rastet e përmendura, përfaqëson jo vetëm mungesë parimi, por edhe humbje të arsyes kolektive – një pranim i heshtur i absurdit politik.

Ashtu siç paralajmëronte Fan Noli në ironinë e tij, shoqëria që e lavdëron sot atë që e shante dje, është e dënuar të mbetet në qarkun e përhershëm të “faqenëndryshjes” dhe apatisë morale.

Vetëm përmes emancipimit qytetar, edukimit etik dhe kulturës së përgjegjësisë publike, mund të ndërpritet ky cikël i çmendurisë kolektive dhe të krijohet një politikë që respekton arsyen dhe dinjitetin qytetar. Referencat teorike (Le Bon, Freud, Fromm, Noli,Rot)