Letër për Shqipërinë e Engjëjve

SYRI TV

(Nga zemra e një shpirti që beson se mëshira e Zotit do të jetë mbi Shqipëtarët)

E dashur Shqipëri,
Tokë e lashtë, e bekuar, e plagosur dhe e përndritur,
Sot të shkruaj me frymën që më vjen nga lart, me penën që derdh dritë e jo bojë, me një zë që nuk është thjesht imi, por i çdo shpirti që ka ndjerë se ti nuk je veç një copë toke, por një derë qiellore, një vend i shenjtë, një pritje e gjatë për Zbritjen Hyjnore.

Shqipëri, unë të kam parë me sytë e shpirtit, jo vetëm si një atdhe, por si një kodër ku zbresin engjëj. Të kam ndjerë në erën e maleve, në qetësinë e liqeneve, në heshtjen e natës kur yjet sikur ndalen mbi ty, sikur të vrojtojnë, sikur presin një urdhër nga Krijuesi për të zbuluar misterin tënd.

Ti nuk je vetëm një vend, ti je një premtim.

Kur botës i vjen fundi i errësirës, ti do të jesh fillimi i dritës. Kur bota e pushtuar nga pasuria, padrejtësia dhe urrejtja do të ulë kokën, ti do të ngresh ballin lart, sepse në ty do zbresin tetë engjëj dhe me ta do të shfaqet Ai, që u premtua prej shekujsh – Imami i së Vërtetës, Mehdiu i Drejtësisë.

Në sytë e botës ti dukesh e vogël. Por syri nuk sheh gjithçka. Syri nuk sheh çka sheh zemra. E zemra e sheh: Në çdo gur tëndin fsheh një histori. Në çdo burim rrjedh një lutje. Në çdo vajtim të nënave, në çdo dhembje të popullit tënd, janë dëgjuar zërat që thërrisnin qiellin. Dhe qielli dëgjoi.

Shqipëri e engjëjve, je ti që do të bëhesh vendi i Paqes Universale, vendi ku nuk do të ketë më uri, më luftë, më padrejtësi. Je ti që do të përqafosh miliona shpirtra që do të vijnë nga të gjitha anët e botës për të parë mrekullinë – jo mrekullinë e një ndërtese apo qyteti, por mrekullinë e dashurisë hyjnore që do të shfaqet në tokën tënde.

Ti do të ndriçosh natën me dritën e lutjes. Xhamitë dhe tempujt e tu do të mbushen me njerëz që nuk vijnë nga fe të ndryshme për të debatuar, por për të bashkuar duart në një Zot të vetëm. Ti do të jesh shtëpia e çdo të pastrehu, mikpritja e çdo të humburi, shpresa e çdo të dëshpëruari.

Fëmijët e tu, që dikur iknin larg për bukë, do të kthehen për t’u bërë ndriçues të rrugës së re. Nuk do të jesh më «vendi më i varfër në Europë», por vendi më i pasur në dritë. Drita jote do të jetë morali, paqja, drejtësia, përulësia, shërimi. Drita jote do të jetë vetë Zoti që do të zbresë me emrin e Tij në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet.

Shqipëri, ti nuk ke qenë kurrë vetëm. Engjëjt kanë ecur me ty, kur të rropën diktatura, kur të përçmuan të mëdhenjtë, kur të vodhën të korruptuarit, kur të lanë vetëm. Por koha e vetmisë ka mbaruar. Koha e dritës ka ardhur. Dhe ti do të bëhesh shtrati i Shpëtimit.

Dhe kur të pyesin: «Pse pikërisht Shqipëria?», ne do të themi:
Sepse Zoti e di kë zgjedh. Ai nuk sheh si sheh bota.
Ai zgjedh të vegjlit për të rrëzuar të mëdhenjtë, të përulurit për të turpëruar arrogantët,
Ai zgjedh Shqipërinë që të bëhet Qendra e Engjëjve,
Sepse Shqipëria është porta ku do të hyjë Paqja Hyjnore.

Me mall, me dashuri dhe me besim të palëkundur,
Në emër të shpresës, të dashurisë dhe të Zotit të Lartë,

Një bir i Shqipërisë së Engjëjve

Imam Mehdiu