Lirim Gashi: KUR NJË OPOZITË KRIMINALE DHE DASHAKEQE KËRKON FLIJIMIN E POLICIT

SYRI TV
Autor : Lirim Gashi
Është bërë zakon i keq i opozitës që çdo gjë që ndodh në Kosovë – qoftë në fushën e sigurisë, shëndetësisë apo motit – të përdoret si armë kundër Qeverisë Kurti. Madje edhe kur në një qoshe të largët të globit bie një meteor, gishtin e drejtojnë kah Kryeministri, si të ishte ai përgjegjës për gravitetin.
Kjo formë e shpifur dhe hakmarrëse e propagandës është bërë aq e tejdukshme, saqë edhe një zog i verbër që fluturon tre mijë metra mbi tokë e nuhat me saktësi erën e saj të keqe. Por e vërteta, ajo e ndershmja, ajo që nuk ka parti – rrëfen një histori krejt tjetër.
I kam rishikuar pamjet e tragjedisë në Lipjan dhjetëra herë.
Dhe çdo herë më është shfaqur i njëjti imazh therës: një djalë i ri, i thyer nga brenda, që po i vraponte vdekjes pas i lodhur nga barra e jetës.
Ai nuk po kërkonte ndihmë, as drejtësi, po vetëm një mënyrë për t’u zhdukur.
Ai hidhej para makinave, si të ishte në ndonjë duel me vetë fatin, i humbur në një mjegull ku nuk kishte më rëndësi as arsyeja, as vetëdija, as kontrolli – sikur të kishte pirë një det alkooli, apo të kishte përtypur një grusht drogë për të heshtur zërat e brendshëm që nuk pushonin së bërtituri vdis.
E vërteta është se ai djalë po ikte më shumë nga jeta sesa nga vdekja.
Dhe pikërisht në këtë pikë, të fajësosh policinë për një tragjedi që u shfaq si një shpërthim i papërmbajtshëm, është jo vetëm e padrejtë – por e padenjë për një shoqëri që pretendon se ka zemër.
Në një botë të kërcënuar çdo ditë nga amok sulmuesit e çmendur që vrasin dhjetëra njerëz të pafajshëm, nuk janë policët të thirrur t’i mbrojnë sulmuesit nga viktimat e tyre potenciale – përkundrazi, ata janë aty për t’i mbrojtur kalimtarët e rastit nga çdo kërcënim i sulmuesve.
Po të kishin qëndruar duarkryq, do të ishin akuzuar për neglizhencë profesionale. Sot që reaguan, po dënohen sikur të kishin qenë armiqtë e popullit.
Po çfarë duam në fund të fundit?
Një polici që hesht kur rrezikohet jeta e njerëzve, apo një polici që vepron dhe pastaj shënjestrohet nga ata që kanë humbur sensin e drejtësisë?
Është e qartë: ajo që po synohet është ta bëjmë profesionin e policit aq të urryer, aq të përbuzur dhe aq të ndëshkuar, sa që askush të mos guxojë ta ushtrojë – as për ideal, as për pagë. Një sabotim moral i një prej institucioneve më të rëndësishme të rendit.
Por në vend që të shtrojmë pyetjen e vërtetë – çfarë e ka çuar një djalë të ri në atë gjendje shpirtërore katastrofike, çfarë e ka rrënuar në shpirt, në familje, në rreth, në shoqëri – ne e përzëmë të vetmen forcë që jeton ende në shpirtin tonë për të na mbrojtur.
Në vend që të mendojmë si ta shpëtojmë brezin që po rritet në errësirë, ne hedhim gurë mbi ata që përpiqen që ajo errësirë të mos kthehet në përgjakje.
Kjo nuk është më drejtësi. Kjo është histeri kolektive që të kujton gjuetinë e shtrigave në Mesjetë – me një ndryshim të vetëm: sot “shtrigat” janë policët, ndërsa “djalli” është një realitet shoqëror që nuk duam ta shohim në sy.
Po, më dhemb tmerrësisht që një i ri humbi jetën në atë mënyrë. Por shumë më tepër do të më kishte dhembur – sikur t’i marrë me vete në varr edhe shumë jetë të pafajshme.
Dhe ne që ende besojmë në humanizëm, nuk guxojmë të lejojmë që e vërteta të mbetet nën këmbët e britmës politike.