Përveç Akademisë së Çmimeve Oscar dhe Festivalit të Filmit në Cannes, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin, i njohur si Berlinale, është një nga festivalet më prestigjioze të filmit në botë. Edicioni i 75-të jubilear do të mbahet nga 13 deri më 23 shkurt 2025.
Të marrësh pjesë në një nga këto festivale është një ëndërr për çdo aktor, regjisor apo skenarist.
Këto ditë u dëshmua edhe një herë se puna, përkushtimi dhe vendosmëria janë çelësi për të arritur suksesin. Prandaj, dua të ndaj me ju një lajm fantastik që vjen nga Berlini!
Filmi zvicerano-gjerman «Heldin», të cilin e kemi xhiruar në fillim të vitit 2024, do të ketë premierën botërore në një nga festivalet më të mëdha të filmit në botë – Berlinale 75 Film Festival.
Së bashku me regjisorën e njohur Petra Volpe dhe aktoren e talentuar Leonie Benesch – e cila në vitin 2023 u shpall aktorja më e mirë në Gjermani për filmin «Der Lehrerzimmer» – do të jemi në tapetin e kuq në shkurt 2025, në Berlin.
Menjëherë pas Berlinales, në fund të shkurtit, «Heldin» do të shfaqet premierë edhe në Zürich, e më pas në të gjitha kinematë zvicerane.
Jam jashtëzakonisht i lumtur, jo vetëm si aktor nga Kosova, por edhe sepse mund ta ndaj këtë arritje me ju të gjithë. Ky është një mesazh për këdo që ëndërron: ëndrrat mund të bëhen realitet, pavarësisht gjuhës apo vendit ku jetoni.
Prandaj, kurrë mos u dorëzoni!
Kudo që të jeni, ndihuni pjesë e atij vendi, por gjithmonë ruani dhe respektoni rrënjët tuaja.
Ridvan Murati