Rojat presidenciale të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, dhe disa trupa ushtarake ua parandaluan autoriteteve arrestimin e tij të premten në një ballafaqim të tensionuar 6-orësh brenda kompleksit presidencial në zemër të kryeqytetit Seul.
Yooni është nën hetim penal për kryengritje për shkak të përpjekjes së tij për ta futur në fuqi ligjin ushtarak më 3 dhjetor, veprim që e kishte shokuar vendin e largët dhe që kishte çuar në lëshimin e urdhërarrestit të parë për një president në detyrë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“U gjykua se ishte pothuajse e pamundur për ta ekzekutuar urdhërarrestin për shkak të ngërçit të vazhdueshëm” – tha në një deklaratë Zyra për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarë të lartë (CIO).
Zyrtarët e CIO-s dhe policia shmangën qindar përkrahës të Yoonit, të cilët ishin mbledhur në orët e hershme të mëngjesit para rezidencës së tij të premten, duke u zotuar për ta bllokuar arrestimin e presidentit “me jetët tona”.
Disa brohoritën “presidenti Yoon Suk Yeol do të mbrohet nga populli” dhe bënë thirrje për arrestimin e kreut të CIO-s.
Zyrtarët e CIO-s, organ që është duke udhëhequr një ekip të përbashkët të hetuesve për akuzat për kryengritje të mundshme rreth shpalljes së ligjit ushtarak nga Yooni, arritën te portat e kompleksit presidencial pak pas orës 7 të mëngjesit dhe hynë në këmbë.
Porsa hynë brenda kompleksit, CIO-ja dhe policia u mposht me numra nga kordonet e personelit të Shërbimit Presidencial të Sigurisë (PSS), si dhe nga trupat ushtarake që ishin të angazhuara si pjesë e sigurisë presidenciale, tha një zyrtar i CIO-së.
Rreth 200 pjesëtarë personeli formuan një zinxhir njerëzor për t’i bllokuar zyrtarët e CIO-s dhe policët, shtoi ai.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Koresë së Jugut tha se trupat ishin nën kontrollin e Shërbimit Presidencial të Sigurisë.
CIO-ja e anuloi përpjekjen për ta arrestuan Yoonin në orën 13 e 30 minuta për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë së personelit të saj si pasojë e pengesave dhe tha se shpreh “keqardhje të thellë” për qëndrimin mospajtues të presidentit.
CIO-ja tha se do t’i shqyrtonte hapat e ardhshëm të saj. Kryengritja është njëra nga pak akuzat penale për të cilat presidenti i Koresë së Jugut nuk ka imunitet.
Urdhërarresti kundër tij, që u miratua nga një gjykatë të martën, pasi Yooni kishte shpërfillur disa thirrje për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje, ka vlefshmëri deri më 6 janar.